Pyetja:
Cila është largësia në të cilën një udhëtar mund ta shkurtojë namazin? A është e lejueshme bashkimi i tyre para shkurtimit të tyre?
***
Përgjigjja:
Largësia në të cilën namazet shkurtohen, siç e kanë caktuar disa dijetarë, është rreth 83 kilometra. Të tjerë dijetarë kanë thënë se kjo largësi është ajo çfarë konsiderohet si udhëtim nga tradita (e një vendi), edhe nëse udhëtari nuk udhëton më shumë se 80 kilometra. Dhe çfarë nuk konsiderohet udhëtim nga njerëzit, atëherë kjo nuk është udhëtim, edhe nëse mbërrin 100 kilometra. Opinioni i fundit është opinioni i shejh el‐Islam ibn Tejmije, dhe kjo për shkak se Allahu nuk ka caktuar një largësi të veçantë, në të cilën lejohet shkurtimi i namazeve, dhe këtë se ka bërë as Pejgamberi ﷺ.
Enes ibn Malik ka thënë: ʺPejgamberi ﷺ, kurdo që udhëtonte 3 ferasikh (masë gjatësie; rreth 5 km), e shkurtonte namazin në dy rekateʺ.
Thënia e shejh el‐Islam ibnTejmije ka gjasa më shumë të jetë e sakta. Po ashtu, nuk prish punë, kurdo që ka dallime rreth asaj çfarë konsiderohet udhëtim sipas traditës, nëse personi vepron sipas vendimit të largësisë së caktuar, sepse ky është opinion i disa dijetarëve. Pra, kjo sʹprish punë, nëse do Allahu. Për sa kohë që çështja mbetet e pacaktuar, veprimi sipas asaj që konsiderohet udhëtim sipas traditës (së atij vendi), është opinioni i saktë. Për sa i përket ʺa është e lejueshme bashkimi i tyre më parë sesa shkurtimi i tyre?ʺ, themi: Bashkimi i namazeve nuk ka të bëjë me shkurtimin, por ka të bëjë me nevojën. Kështu, kurdo që një person ka nevojë tʹi bashkojë, qoftë udhëtar apo jo, le tʹi bëjë bashkë. Njerëzit i bashkojnë namazet, për shkak të shiut, i cili do tʹi pengonte të ktheheshin në xhami. Po ashtu, njerëzit i bëjnë bashkë namazet, nëse ka dimër të ashpër e të ftohët, nga i cili do të vështirësohej shkuarja në xhami. Dhe bashkohen (namazet), nëse ka frikë për humbje të pasurisë apo ndonjë dëm në të, apo të ngjashme me këtë. Është transmetuar nga Ibn Abasi të ketë thënë: ʺPejgamberi ﷺ i ka bërë bashkë namazin e drekës me të ikindisë dhe namazin e akshamit me të jacisë pa ekzistuar ndonjë frikë apo shiʺ. Ata pyetën: ʺPërse e bëri këtë?ʺ. Ai tha që këtë e bëri me qëllim që të mos i rëndojë umetin, domethënë, nuk ka dashur tʹua vështirësojë në mënyrë që ata do ta linin faljen me xhemat.
Pra ky është kushti: kurdo që një person ka vështirësi, gjë që do ta bënte atë ta lë faljen mexhemat, atëherë ai bën tʹi bashkojë. Nëse sʹka vështirësi, ai nuk i bashkon. Mirëpo, mbas gjase,udhëtimi do ta vështirësonte faljen me xhemat. Meqë puna qëndron kështu, atëherë është e lejueshme për udhëtarin tʹi bashkojë namazet, qoftë gjatë udhëtimit apo kur ndalet [në destinacionin e tij]. Nëse është në udhëtim e sipër, atëherë është e pëlqyeshme të bashkohen; nëse ka mbërritur destinacionin, është e pëlqyeshme të mos i bashkojë. Përjashtim nga kjo bën rasti kur një person ka mbërri në destinacionin dhe aty falet namazi me xhemat. Atëherë, është e obligueshme falja me xhemat. Në këtë rast, ai nuk i bashkon e as nuk i shkurton namazet. Mirëpo, nëse i humb falja me xhemat, ai i shkurton namazet dhe nuk i bashkon, përveç nëse ka nevojë për tʹi bashkuar (për ndonjë arsye).
Shejh Ibn Uthejmin, “Fetaua Arkan el‐Islam”, nr. 312, 315