Kushtet e pranimit të pendimit

Pendimi është i pranuar dhe i sinqertë atëherë kur i plotëson pesë kushte:

Kushti i parë: Sinqeriteti për Allahun e Lartmadhëruar. Respektivisht, motiv i pendimit të jetë dashuria ndaj Allahut, madhërimi dhe frika prej dënimit të Tij. Kësisoj pra, nuk pendohet për sy e faqe, as për famë, as nga frika prej ndonjë krijese, e as që të arrijë diçka nga kjo botë, si: pozitë, e të ngjashme.

Kushti i dytë: Keqardhja nga ajo që ka kaluar dhe mëkatet që i ka bërë. Kësisoj, në zemrën e tij të ketë thyerje shpirtërore për Allahun, përgjërim dhe ta pranojë mëkatin, që pendimi i tij të jetë si rrjedhojë e besimit dhe diturisë së plotë.

Kushti i tretë: Braktisja e mëkatit. Mëkati ose ka të bëjë me hakun e Allahut ose ka të bëjë me hakun e njerëzve. Nëse mëkati ka të bëjë me hakun e Allahut, si fjala vjen, e ka lënë ndonjë obligim, atëherë shpejton për ta kryer atë, e nëse mëkati i tij ka të bëjë me veprimin e ndonjë gjëje të ndaluar, shpejton për ta braktisur. E nëse ka të bëjë me diçka që ka kaluar (ndonjë adhurim) dhe është mundësia për ta zëvendësuar (bërë kaza) dhe për ta arritur atë, atëherë kjo është obligim (për t’u kryer)… Sa i përket pendimit prej hakut të njerëzve, ai nuk pranohet derisa t’ia japë njerëzve hakun e tyre dhe t’ua kthejë atë. Nëse mëkati ka të bëjë me marrjen e pasurisë, atëherë këtë pasuri ia kthen dhe e pranon se nuk është e tij. E nëse mëkati ka të bëjë me përgojimin apo është përfolur për nderin e tij, i kërkon hallallëk atij që e ka përgojuar, nëse është mundësia. E nëse nuk është mundësia ose ka frikë nga ndonjë dëm më i madh, atëherë i lutet Allahut që ta falë personi që e ka përgojuar.

Kushti i katërt: Vendosmëria që mos të kthehet në të ardhmen te mëkati i tillë. Të ketë vendosmëri të palëkundur, që mos të kthehet te mëkati i tillë në të ardhmen. Andaj, ai që është penduar prej një mëkati dhe se vetja i flet që, kurdo që t’iu lehtësohet veprimi i mëkatit të tillë, e bën, ky është pendim i rremë. Doemos duket të jetë i vendosur për të mos u kthyer më. Medito! Ne po themi, vendosmëria që të mos kthehet, e nuk është kusht të mos kthehet. Ngase ai ka mundësi është i vendosur që të mos kthehet dhe nefsi (shpirti) ia bën të lehtë dhe kthehet (te mëkati); pendimi i tij i parë është i saktë.

Kushti i pestë: Pendimi të jetë në kohën kur pranohet. Ky është dy llojesh: I përgjithshëm dhe i veçantë. Sa i përket atij që është i përgjithshëm, është që të pendohet para se të lindë dielli prej perëndimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mirë me besimin e tij!” (El Enam, 185) Gjithashtu Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka njoftuar se Allahu i Lartmadhërishëm ia pranon robit pendimin, përderisa dielli nuk ka lindur (nga perëndimi). Sa i përket kohës së veçantë, ajo është agonia e vdekjes. Kur të arrijë agonia e vdekjes, pendimi nuk bën dobi. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm.” (En Nisa, 17-18)

Shejhu ynë, prof. dr. Sami Sukajri (Allahu e ruajttë!)

Përktheu: Hoxhë Burim Koçinaj