Pyetje:
Sahabeshat ankoheshin se xhilbabët e tyre ndoteshin, dhe Profeti ﷺ ka thënë: “Pastrohet nga ajo që vjen pas saj.”
Në ditët e sotme, nëse ecim në rrugë dhe kalojmë mbi diçka të lagësht që është e papastër, pastaj vazhdojmë të ecim mbi asfalt ose hipim në makinë, a pastrohet abajaja me këtë?
Pyetja ime është: çfarë e pastron abajën pluhuri, vetë ecja mbi tokë të thatë, apo çfarë?
Përgjigjja e shkurtër:
Po, abaja konsiderohet e pastër. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve (bazuar në hadithet e Profetit ﷺ dhe sqarimin e Ibn Tejmijes), qëllimi kryesor është largimi i vetë papastërtisë.
Nëse fundi i abajes preket nga një e papastër, ecja e mëtejshme mbi tokë të thatë, asfalt, rrugë apo trotuar që fshin dhe largon gjurmët e asaj papastërtie, mjafton për ta pastruar rrobën. Në këtë rast, dheu i thatë, fërkimi dhe ecja mbi sipërfaqe të pastra shërbejnë si pastrues, dhe nuk është e domosdoshme larja me ujë.
Përgjigjja e plotë:
Çështja e largimit të papastërtisë nga rrobat është një nga çështjet për të cilat dijetarët kanë mospajtim të njohur.
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nëse në rrobë apo këpucë gjendet papastërti, ajo mund të pastrohet vetëm duke e larguar me ujë.
Hanefitë janë të mendimit se çdo mënyrë me të cilën largohet papastërtia është e mjaftueshme. Me këtë mendim janë pajtuar edhe Shejhul-Islam Ibn Tejmije rahimehullah dhe një numër dijetarësh bashkëkohorë, dhe ky është mendimi më i saktë.
Është transmetuar nga një robëreshë e Ibrahimit ibn Abdur-Rahman ibn Aufit rahimehullah se ajo e pyeti Umu Selemen radijAllahu anha, gruan e Profetit ﷺ:
“Unë jam një grua që rroba ime zvarritet në tokë dhe mund të kaloj nëpër vende të ndyta.”
Umu Seleme radijAllahu anha tha:
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ajo që vjen pas saj e pastron.”
(Transmeton Tirmidhiu (143), Ebu Davudi (383) dhe Ibn Maxheh (531). Hadithin e ka saktësuar Shejh Albani rahimehullah në Sahih et-Tirmidhi)
Ebu Seid el-Hudriu radijAllahu anhu ka thënë:
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kur ndonjëri prej jush vjen në xhami, le të shikojë këpucët e tij, dhe nëse sheh ndonjë ndyrësi apo papastërti mbi to, le ta fshijë dhe të falet me to.”
(Transmeton Ebu Davudi (650); e ka saktësuar Albani rahimehullah në Sahih Ebi Davud)
Në këto dy hadithe, Profeti ﷺ i ka udhëzuar njerëzit që ta largojnë papastërtinë edhe me gjëra të tjera përveç ujit.
Shejhul-Islam Ibn Tejmije rahimehullah ka thënë:
“Suneti urdhëron përdorimin e ujit në fjalën e Profetit ﷺ drejtuar Esmasë:
‘Fërkoje, pastaj laje dhe më pas shpëlaje me ujë.’
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Po ashtu fjala e tij për enët e mexhusëve:
‘Fërkojini, pastaj lajini me ujë.’
— Transmeton Tirmidhiu, Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh me zinxhir të saktë.
Kjo ka të bëjë me enët e Ehli Kitabit dhe jo mexhusët.
Po ashtu hadithi për beduinin që urinoi në xhami:
‘Hidhni një kovë ujë mbi urinën e tij.’
(Buhariu dhe Muslimi)
Pra, ai urdhëroi largimin e papastërtisë me ujë në raste të caktuara, por nuk dha urdhër të përgjithshëm që çdo papastërti të largohet vetëm me ujë.
Në disa raste ai lejoi që papastërtia të largohej me diçka tjetër përveç ujit, si:
pastrimi me gurë pas kryerjes së nevojës
fjala e tij për këpucët:
‘Pastaj fërkojini në dhe, sepse dheu është pastrim për to.’
(Transmeton Ebu Davudi dhe e ka saktësuar Albani)
fjala e tij për fundin e rrobës që zvarritet:
‘Ajo që vjen pas saj e pastron.’
Qentë hynin dhe dilnin në xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe urinonin aty, por njerëzit nuk e lanin atë.
(Transmeton Buhariu)
Profeti ﷺ ka thënë për macet:
‘Ato janë prej atyre që sillen mes jush.’
(Transmeton Tirmidhiu, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh me zinxhir të saktë)
Edhe pse macet zakonisht hanë minj dhe nuk kishte lumenj prej të cilëve të pinin për të pastruar gojën me ujë; pastrimi i tyre është pështyma e tyre.
Vera që shndërrohet vetvetiu në uthull bëhet e pastër sipas ixhmait të muslimanëve.
Prandaj, mendimi më i saktë në këtë çështje është se nëse papastërtia largohet me çfarëdo mënyre, atëherë rregulli i saj pushon së vepruari. Nëse një gjykim lidhet me një shkak, ai pushon kur largohet ai shkak.
Por nuk lejohet të përdoren ushqimet dhe pijet për të larguar papastërtinë pa nevojë, sepse kjo është humbje pasurie. Po ashtu nuk lejohet të përdoren ato për pastrim pas kryerjes së nevojës.
Disa prej atyre që thonë se papastërtia largohet vetëm me ujë pretendojnë se kjo është çështje adhurimi. Por nuk është kështu.
Ligjvënësi (Allahu) urdhëroi përdorimin e ujit në raste të caktuara kur gjërat e tjera nuk mjaftojnë, sepse përdorimi i pijeve prej të cilave muslimanët mund të përfitojnë do t’i prishte ato. Ndërsa largimi i papastërtisë me gjëra të forta nuk është i mundur në disa raste, si pastrimi i rrobave, enëve apo tokës.
Po të kishin ujë trëndafili, uthull apo të ngjashme, ata nuk urdhëroheshin t’i prishnin ato; e si atëherë kur as nuk i kishin.
Disa të tjerë thanë se uji ka butësi që lëngjet e tjera nuk e kanë, prandaj ato nuk japin të njëjtin rezultat. Por kjo nuk është e saktë; uthulla, uji i trëndafilit dhe lëngje të tjera mund ta largojnë papastërtinë nga enët ashtu si uji, madje ndonjëherë edhe më mirë.”
(Mexhmu’ el-Fetaua, 21/474-476)
Nga sa u përmend më sipër, bëhet e qartë se nëse një gruaje i bie papastërti në fundin e rrobës së saj dhe më pas ecën mbi tokë, asfalt, rrugë apo trotuar në mënyrë që vetë papastërtia të largohet dhe të mos mbetet asnjë gjurmë e saj, atëherë rroba e saj konsiderohet e pastër dhe nuk është e nevojshme të përdorë ujë për largimin e saj.
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamqa.islamqa.info / Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net




