Ateizmi bie ndesh me natyrën e pastër njerëzore, bie ndesh me logjikën, e megjithatë ai është përhapur në botë në përgjithësi, madje ka gjetur shteg edhe për në vendet islame. Dhe kjo për disa shkaqe:
Shkaku i parë: Inferioriteti kundrejt “civilizimit”, i cili ka mbizotëruar shpirtrat e shumë prej djelmoshave të rinj. Kjo gjë i ka shtyrë ata t`i nënçmojnë vlerat e popullit të tyre dhe trashëgiminë fetare. Nga ana tjetër, kjo ka bërë që ata ta shohin me mahnitje dhe madhërim perëndimin, të cilin e shohin shumë të përparuar dhe mendojnë se shkaku i përparimit të tyre material është ateizmi i tyre!
Shkaku i dytë: Ky është një shkak i rëndësishëm për tu trajtuar. Bëhet fjalë për: Moskuptimin e drejtë të çështjes së paracaktimit hyjnor (Kada dhe Kader), sidomos ajo që lidhet me arsyet dhe urtësitë e veprave të Allahut të Lartmadhëruar.
Shkaku i tretë: Shpëlarja e trurit që u është bërë atyre që jetojnë në mesin e pabesimtarëve qofshin ata vendas, turistë, apo që shkojnë për arsye nga më të ndryshmet si: arsimimi, specializimet në fusha të ndryshme etj, të cilëve vazhdimisht u hidhen dyshime në lidhje me besimin e tyre dhe që jorrallëherë i gjejnë të papërgatitur për t`u ballafaquar me to. Nuk duhen nënvlerësuar kurthet që pabesimtarët ngrenë ndaj muslimanëve, sepse me të vërtetë ata ngrenë kurthe të mëdha. “Dhe ata ngritën kurthet e tyre, por kurthet e tyre janë tek Allahu, edhe në qofshin kurthet e tyre aq të fuqishme sa t’i bëjnë malet të lëvizin nga vendi” (Ibrahim: 46)
Shkaku i katërt: Dëshira për plotësimin e qejfeve tej kufijve, dhënia pas tekave dhe shfrenimit moral, ose siç quhet ndryshe: degjenerimi moral. Këto të dyja (shthurja dhe ateizmi) bashkëjetojnë mirë me njëra-tjetrën,sepse kështu, nuk ka më gjëra të ndaluara apo të lejuara nën ombrellën e ateizmit.Gjithashtu nuk ka mbikëqyrje, llogaridhënie e as shpërblim apo ndëshkim. Nuk ekziston më ajo që quhet në gjuhën e sotme: brerje ndërgjegjeje, dmth shpirti qortues, i cili e godet muslimanin me “kamxhikun” e pendesës pas kryerjes së veprave të shëmtuara. Prandaj shumë prej atyre që anojnë kah ateizmi, kanë si shtysë tekat dhe dëshirat epshore, e asgjë tjetër. Dhe këtë çështje dijetarët e kanë përshkruar duke thënë: “Epshi është sapuni i dyshimit”. Dmth epshi ia bën të lehtë dyshimit kalimin dhe depërtimin në shpirt.
Shkaku i pestë: Paqartësitë dhe kundërthëniet që duket sikur ekzistojnë në fe, sipas këndvështrimit të ateistit. Diçka e tillë në raport me doktrinën e krishterë është e kuptueshme, ndërsa në raport me Islamin këto dyshime dhe paqartësi vijnë më së shumti për shkak të besëtytnive që praktikohen dhe përhapen nga sekte të devijuara dhe që më pas ato besime të kota i atribuohen padrejtësisht Islamit.
Shkaku i gjashtë: Injoranca rreth njohjes së Islamit dhe mirësive të tij. Ata nëse do ta studionin këtë fe madhështore, do t`u mjaftonte kundrejt çdo teorie, ideje, apo filozofie, por ata janë siç ka thënë një poet: “Si deveja në shkretëtirë që etja e vret ndërsa uji mbi shpinën e saj është i mbartur.”
Shkaku i shtatë: Dhe ky është më i rëndësishmi, i cili ka të bëjë me vetë ateistin: Mendjemadhësia. Nuk ka mohuar dikush e të jetë kthyer në mosbesim1 veçse për shkak të mendjemadhësisë që ka në vetvete, sepse Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Ata që debatojnë rreth argumenteve të Allahut pa pasur ndonjë fakt që u ka ardhur atyre, ata nuk kanë tjetër në shpirtra veçse pretendim tëmadhështisë, të cilën ata nuk do ta arrijnë” (Ghafir: 56)
Kjo mendjemadhësi jep disa fryte të këqija:
Së pari: I ka shtyrë të mohojnë fenë e Allahut. I Lartësuari thotë: “…Por ata mohuan atë që nuk e përfshinë me dijen e tyre.”2 ( Junus: 39)
Së dyti: Injorimi dhe refuzimi i dëgjimit të së vërtetës. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe atyre nuk u vjen ndonjë argument nga Zoti i tyre, veçse ata ia kthenin shpinën atij” ( Jasin: 46)
Së treti: Vetëpëlqimi me diturinë e falimentuar që ata kanë, me të cilën refuzojnë dispozitat e Allahut. I Lartësuari thotë: “Kur atyre u erdhën të Dërguarit e tyre me argumente, ata iu gëzuan diturisë që kishin, kështu e merituan atë (dënimin) me të cilin ata talleshin” (Gafir: 83)
Së katërti: Pasimi verbërisht i parisë udhëheqëse që thërrasin në mosbesim. I Lartësuari thotë: “Kështu Ne nuk dërguam para teje në ndonjë qytet ndonjë të Dërguar, veçse njerëzit që jetonin në luks prej tyre thanë: ‘Ne i gjetëm baballarët tanë në këtë fe dhe ne në gjurmët e tyre do të ecim’.” (Zukhruf: 23)
Së pesti: Dhe fryti i fundit është devijimi, pra nëse njeriu anon nga devijimi lihet në zgjedhjen e tij, madje i shtohet edhe më shumë devijimi, ashtu siç Allahu i Lartësuar thotë: “Kur ata devijuan, Allahu ua devijoi zemrat e tyre” (Saff: 5)
Burimi: “ATEIZMI Një vështrim kritik”
Dr. Salih ibn Abdulaziz ibn Uthman Sindij
1 Sh.p.: pas besimit me të cilin lind njeriu
2 Sh.p.: E mohuan Kuranin pa e studiuar më parë atë