El-Khiraki ka thënë:

“Përveç kësaj rekomandohet agjërimi i ditëve të bardha për të cilat ka nxitur i dërguari i Allahut ﷺ. Ato janë dita e 13, 14, 15 (e muajit Islamik) të çdo muaji.”

Në tërësi, rekomandohet agjërimi i tre ditëve të bardha të çdo muaji. Ne nuk dimë që të ketë mosmarrëveshje në lidhje në këtë çështje.

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- ka thënë: ”I dashuri im ﷺ më ka porositur me tre gjëra:

“Agjërimin e tre ditëve të çdo muaji, faljen e dy rekateve të duhasë dhe faljen e vitrit para gjumit.”

Transmeton Bukhari (1178), Muslimi (721), Tirmidhi (760), Nesai (1677), Ebu Daudi (1433) dhe Ahmedi (7098, 7140 och 7409).

Abdullah Bin Amr Bin el-As -radijAllahu anhu- rrëfen se i dërguari i Allahut ﷺ më tha:

“Agjëro nga muaji tre ditë sepse vepra e mirë shpërblehet dhjetëfish dhe kjo është sikurse të agjërosh një vit të tërë.”

Transmeton Buhari dhe Muslimi.

Rekomandohet që këto tre ditë të jenë dita e 13, 14, 15 e çdo muaji [Islamik].

Ebu Dherri rrëfen se i dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë:

“O Ebu Dherr, nëse dëshiron të agjërosh tre ditë të muajit, agjëroje ditën e trembëdhjetë, të katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë.”

Transmeton Tirmidhi i cili tha: Hadithi është hasen.

Nesai transmeton se profeti ﷺ i tha një beduini: ”Ha!”

Beduini tha: ”Jam duke agjëruar.”

Profeti ﷺ e pyeti: ”Çfarë je duke agjëruar.”

Beduini tha: “Tre ditë të çdo muaji.”

Profeti i tha: “Nëse dëshiron të agjërosh, atëherë agjëro ditët e bardha; të trembëdhjetën, të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën.”

Milhan el-Kajsi -radijAllahu anhu- ka thënë:

“I dërguari i Allahut ﷺ na urdhëronte që të agjërojmë ditët e bardha; të trembëdhjetën, të katërmbëdhjetën dhe e pesëmbëdhjetën. Ai ﷺ tha: “Ato janë si një vit.”

Transmetohet nga Ebu Daudi.

Ato quhen ditët e bardha sepse netët e tyre ndriçohen nga hëna e plotë. Është thënë gjithashtu se arsyeja është se Allahu e fali Ademin në këtë ditë dhe ia pastroi librin e veprave. Këtë e ka përmendur Ebul-Hasan et-Temimi.

Imam Muveffekud-Din bin Kudameh el-Makdisi (v. 620)
El-Mughni (4/445-446)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com