Fyerja e Allahut është kufër edhe nëse (fyesi) nuk ka për qëllim kufrin

Sharja e Allahut është kufër, nuk ka mospajtim në këtë dhe nuk vie në konsiderim lehtësimi dhe pakujdesi i njerëzve se gjoja këtë e bëjnë pa qëllim, dhe se shprehjet e tyre që përbëjnë sharje janë pa qëllim të keq kundrejt hakut të Allahut.
Ky arsyetim është injorancë e atij që e thotë atë. Nuk e pranon këtë arsyetim vetëm se Xhehm bin Safuani dhe murxhitë ekstrem, të cilët thonë se imani është vërtetim dhe njohje e zemrës.

Dhe shkaku i kësaj thënie është mosnjohja e tyre se imani është:

Fjalë dhe vepër, pra: fjalë e gjuhës dhe zemrës, si dhe vepër e zemrës dhe e gjymtyrëve.

Andaj murxhitë ekstrem mbajnë mendimin se vepra e jashtme nuk e vërteton imanin, e sipas këtij pohimi atëherë kjo vepër gjithashtu edhe nuk e asgjëson imanin vetëm nëse kthehet çështja te zemra e tij.

Kurse e vërteta është se: imani përmban anën e jashtme dhe të brendshme, dhe që të dyja së bashku vërtetojnë imanin, dhe me asgjësimin e njëres prej tyre, asgjësohet imani në tërësi.

E sikurse qafiri që bën kufër nëse vendos ta bëjë kufrin dhe ka për qëllim atë, edhe nëse nuk e thotë atë me gjuhën e tij apo nuk e vepron atë me gjymtyrët e tij, gjithashtu bën kufër me fjalë edhe nëse nuk e ka pasur për qëllim kufrin me zemrën e tij, dhe nuk e ka bërë atë me gjymtyrët e tij.

Gjithashtu bën kufër ai që vepron veprën e kufrit, edhe nëse nuk e ka pasur për qëllim të bëjë kufër me zemrën e tij dhe nuk e ka shqiptuar atë me gjuhën e tij.

Pra, nëse gjymtyrët bëjnë vepër të ndaluar, personi i tillë dënohet për të, kurse brendësia e tij (se çfarë ka në zemër) lihet tek Allahu i Madhëruar, dhe jo çdo kush që gjykohet se ka bërë kufër –që ka shfaqur kufrin- është qafir tek Allahu në brendësinë e tij. Andaj çështjet e brendshme në zemra i takojnë Allahut të Madhëruar, kurse çështjet e jashtme të gjymtyrëve njeriu dënohet për to në këtë botë.

Allahu i lartësuar e ka gjykuar me kufër atë që tallet me Të në Kur’an dhe po ashtu i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem), dhe nuk ka pranuar arsyetimin e këtij personi se ai mahitej e nuk kishte qëllim talljen, andaj Allahu i lartësuar thotë për të:

{E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm jemi mahitur e dëfruar”. Thuaj: “A me All-llahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?”
Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi që (shpallët se) besuat, keni mohuar (keni bërë kufër).} [Teube: 65, 66].

Mendja tregon se njerëzit llogariten për veprat që bëjnë ata, andaj nuk pranohet arsyetimi i njerëzve në akuzim të njëri-tjetrit për zina, po ashtu sundimtari nuk pranon sharjen dhe mallkimin e tij, edhe nëse arsyetohen njerëzit se nuk kanë pasur për qëllim një gjë të tillë. Për këtë, Allahu ka urdhëruar të ndëshkohet akuzuesi për zina, nëse nuk posedon dëshmi, me ndëshkim të shpifësit, e që është: tetëdhjetë shkopinj, e nuk pranohet nga akuzuesi arsyetimi se kishte për qëllim të mahitej apo luante me këtë.

Gjithashtu edhe sundimtari, do të binte pozita e tij te njerëzit sikur t’i linte ata të tallen dhe lozin me nderin e tij, andaj e gjenë atë duke i dënuar dhe “edukuar” njerëzit që tallen me të, pa bërë dallim mes atij që mahitej apo atij që njëmend e bënte këtë me qëllim.

Andaj, janë më se të njohura tekstet e sheriatit që tregojnë se njeriu llogaritet dhe dënohet për krimin dhe padrejtësinë e tij, i cili tregohet mospërfillës në njohjen e madhërisë së Allahut dhe pozitës e vlerës së Tij që është e njohur dhe e qartë në logjikë dhe fe, dhe se të tillit nuk i pranohet arsyetimi në këtë.

Në hadithin e vërtetë që e transmeton Ebu Hurejra (radijallahu anhu) thuhet: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Vërtet robi flet ndonjë fjalë që me të e hidhëron Allahun, nuk i vë veshin asaj fjale, hidhet me të në xhehenem (në thellësi që është) shtatëdhjetë vjet.” Transmeton Buhariu (6478) dhe Muslimi (2988).

Allahu e obligoi dënimin për të dhe nuk e arsyetoi atë edhe pse ai nuk ia vëri veshin asaj fjale! Pra, ai as që mendoi se çfarë po fliste, dhe as që mendoi se çfarë vlere e pozite ka ajo fjalë, sepse ishte i pakujdesur në meditimin e asaj që foli, e sikur të mendonte sadopak do t’i qartësohej atij kuptimi i keq dhe i shëmtuar i fjalës së tij.

Gjithashtu transmetohet në hadithin e Bilal bin el-Harith se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Vërtet ndonjëri prej jush flet ndonjë fjalë që e hidhëron Allahun me të, nuk mendon se mund të arrijë ajo deri atë shkallë, i shkruan Allahu atij me atë fjalë hidhërimin e Tij deri në ditën kur e takon atë (ditën e kijametit).” Transmeton Ahmedi në Musned (15852) dhe Ibn Hibani në Sahih (280)

Pra, arsyetimi i njeriut me atë se sharja e Allahut të lartësuar dhe mallkimi i Tij është gjë që sillet nëpër gjuhët e njerëzve pa qëllim përuljeje apo nënçmimi është arsyetim që Iblisi ia hijeshon njeriut, ashtu që ta lë atë në kufër, dhe ta lë atë të jetojë në krimin dhe padrejtësinë e tij ndaj Zotit të vet.

Shejtani nuk ia hijeshon njeriut kufrin vetëm se para kësaj i gjën atij diçka prej dyshimeve të kota mendore dhe dyshimeve të dobëta sheriatike, me të cilat mundohet ta qetësojë atë, dhe të cilat nuk kanë ndonjë vlerë ne peshorën e kuptimit të shëndoshë e të zhveshur nga epshi.

Prej mashtrimit dhe dyshimeve të Iblisit ndaj njeriut është se ai: ia bënë të lehtë njeriut çështjen e kufrit dhe mëkatit që bën, duke ia kujtuar atij veprat e mira që bën njeriu, me të cilat e shuan mjerimin e mëkatit dhe dhimbjen e gjynahut në zemrën e njeriut mëkatar; sikurse mashtrimi që i bënë atij që e shan Allahun se ai e shqipton shehadetin (la ilahe ilAllah), i respekton prindërit, e ndoshta edhe i falë namazet!

Po kështu devijuan dhe humbën idhujtarët (mushrikët) arabë në Meke; ata i bën shirk Allahut të madhëruar, dhe adhuruan idhujt përveç Tij, kurse në zemrat e tyre u sillej në mëndje dhënja ujë haxhinjve, ndërtimi dhe kujdesi për Qaben, mbulesa e saj, etj. E gjithë kjo nuk u bëri dobi atyre tek Allahu sepse shoqërimi i tyre dikë tjetër me Allahun në adhurim e asgjësoi madhërimin e Allahut që i bënin. Ata e madhëronin Qaben kurse e mohonin Zotin e Qabes! E në të vërtetë Qabja madhërohet për shkak të Zotit të saj e nuk madhërohet Zoti për shkak të Qabes.
Allahu i madhëruar thotë:

{A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe kujdestarinë ndaj xhamisë së shenjtë (Qabes), si besimin e atij që i besoi All-llahut dhe ditës së fundit dhe që luftoi në rrugën e All-llahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te All-llahu. Popullin mizor All-llahu nuk e vë në rrugë të drejtë.} [Teube: 19].

Shumë herë ndodhë që besimi i njeriut të jetë vetëm pretendim për shkak të asgjësimit të tij nga ndonjë vepër tjetër! Allahu i Lartësuar thotë:

{Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar All-llahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë.} [Bekare: 8].

Prandaj, nuk vlen të pretendohet madhërimi i Allahut të Lartësuar dhe shqiptimi i shehadetit me sharjen dhe talljen e Tij -i Pastër dhe i lartësuar qoftë-.

“Madhërimi i Allahut dhe gjykimi ndaj atij që e shan Atë”,

Shejh Abdulaziz Et-Tarifi