Pyetja:

Cili është kriteri me të cilin dallojmë përngjasimin me jobesimtarët?

***

Përgjigjja:

Kriteri i përngjasimit me jobesimtarët është: Veprimi i diçkaje që veprohet vetëm nga jobesimtarët, por që nuk vjen si rezultat i natyrshmërisë njerëzore. Jini të vëmendshëm në lidhje me këtë kriter: Që veprohet vetëm nga jobesimtarët. Duke nxjerrë jashtë diskutimit ato veprime që veprohen nga jobesimtarët dhe të tjerët veç tyre, sepse në këtë rast nuk do kishim përngjasim. Në lidhje me këtë kusht – ashtu siç e shoh unë – është shembulli i “sirualeve”, apo që quhen sot pantallona, për meshkujt, nëse ato nuk janë të tejdukshme dhe të ngushta, përdorimi i tyre nuk konsiderohet përgjasim, sepse ato nuk i veshin vetëm jobesimtarët, por i kanë përdorur ata dhe të tjerë përveç tyre që në kohët e hershme, të cilat tek arabët quheshin “siruale” që në kohët e vjetra. Në vazhdim të kriterit thashë: diçka që veprohet vetëm nga jobesimtarët, por që nuk vjen si rezultat i natyrshmërisë njerëzore. Sepse, nëse vjen si rezultat i natyrshmërisë njerëzore, nuk ka asnjë problem që të marrim këtë prej tyre, si psh makinat. Makinat janë shpikje e jobesimtarëve. Ata i përdorën fillimisht si rezultat i nevojës njerëzore për të lehtësuar mënyrën e udhëtimit dhe zhvendosjes. Ne marrim prej tyre makinën dhe e përdorim, sepse është diçka që ka ardhur si nevojë njerëzore, ndaj nuk konsiderohet përngjasim. Kurse nqs jobesimtarët veprojnë diçka specifike që e bëjnë vetëm ata, jo si rezultat i nevojës njerëzore, konsiderohet përngjasim, siç janë disa veshje specifike vetëm për ta, ku dijetarët japin si shembull takijen që vendosin majë kokës çifutët.

Shejh Sulejman er-Ruhejlij, “Shpjegimi i Tre parimeve”

Përktheu:Shuajb Rexha