Pyetja:

Cili është qëndrimi i Islamit për monopolin dhe luftën ndaj tij?

***

Përgjigjja:

Përkufizimi i përgjithshëm i monopolit është magazinimi i mallit në kohën e lirësisë për ta shitur atë në treg kohën e shtrenjtësisë dhe kur njërëzit të kenë nevojë të theksuar për atë mall. Pasojat që sjell monopoli nuk janë të reja, por ato janë të prekshme për të gjithë njerëzit në çdo vend dhe në çdo kohë. Monopoli më i rëndë për qytetarin është ai që ka të bëjë me ushqimin e tij të përditshëm, për të cilin i Dërguari i Allahut, ﷺ, thotë: “Kush i monopolizon muslimanëve një ushqim Allahu do ta godasë me lebrozë ose me falimentim.” [1]

Juristët e Islamit e përkufizojnë monopolin si “blerje e mallit dhe akumulim të tij, kur ai është i pakët, për ta shitur në treg me qëllimin për të përfituar sa më shumë në kohën kur njerëzit kanë nevojë për të.” Duke u nisur nga ky përkufizim monopoli nuk përfshin:

– Magazinimin e bujkut dhe të importuesit që e blen mallin jashtë vendit

– Blerjen e mallit kur është i lirë për ta magazinuar.

– Blerjen e mallit kur është i shtrenjtë për ta shitur në kohën e vet.

Dijetarët janë pajtuar për ndalimin e monopolit të ushqimit të përditshëm dhe kanë mbajtur qëndrime të ndryshme përsa i përket monopoleve, që nuk kanë të bëjnë me ushqimin e përditshëm, siç janë veshjet, mobiljet, mjetet etj, apo ushqimet e luksit siç janë frutat e thata, ëmbëlsirat dhe frutat. Imam Maliku e ka ndaluar monopolin për të gjitha mallrat pa marrë parasysh llojin e tyre, duke u nisur nga hadithi i Profetit ﷺ që thotë: “Kush bën monopol është gabimtar”, ndërsa imam Shafiu dhe të tjerët e kanë lejuar atë, përveç monopolit të ushqimit të përditshëm. Nëse do të bëjmë një paraqitje të teorive ekonomike dhe qëndrimit të Islamit në lidhje me çështjen e monopolit do të vërejmë dallimet e mëposhtme:

1- Monopoli në teoritë ekonomike lidhet me prodhuesin dhe kostot te prodhimit.

2- Monopoli në prizmin e Islamit lidhet me tregtinë e mallit në kohë krizash, në kohët kur oferta agregate është në ulje dhe kërkesa agregate është në ngritje, pra në kohët kur çmimet janë në ngritje.

Pra sipas teorive ekonomike monopolisti është prodhuesi, ndërsa sipas parimeve islame monopolisit është tregtar, ku përjashtim bën vetëm prodhuesi që e ka prodhuar vetë mallin apo importuesi që e sjell mallin nga jashtë. Në librin “Muatah” të imam Malikut shënohet nga Omer bin Hatabi r.a. se ka thënë: “Nuk ka monopol në tregjet tona. Asnjë burrë prej atyre që kanë tepricë floriri dhe që bredhin nga malli në mall prej rrizkut të Allahut, që e ka hedhur në vendin tonë, të mos e monopolizijë atë, por kushdo që e ka shtrënguar rripin për të sjellë mallin nga larg në dimër dhe në verë do të jetë mik i Omerit; le të shesë çfarë të dojë dhe le të magazinojë çfarë të dojë.” Kjo mënyrë e të fituarit ka origjinë në fenë tonë, sepse Islami e nxit njeriun që të prodhojë dhe të lëvizë në nëpër vende të ndryshme për të kërkuar rrizkun e Allahut, por në të njëjtën kohë Islami e ndalon shfrytëzimin e nevojës që kanë të tjerët për t’ua shitur atyre mallin më shumë se vlera e tij e njohur, ose siç quhet ndryshe në jurisprudencën islame “shitja për nevojtarin”, të cilën e ka ndaluar i Dërguari i Allahut ﷺ.

Juristët muslimanë thonë se kush monopolizon një mall në mënyrë të padrejtë duhet që të pendohet para Allahut të Lartësuar, ta nxjerrë mallin në treg për ta shitur me çmimin që e ka blerë, sepse njerëzit kanë nevojë për të dhe për arsye se ai i ka privuar ata që të përfitojnë prej atij malli në mënyrë jo të drejtë. Për këtë arsye ai duhet t’u japë njerëzve mundësinë që ta blejnë atë mall me çmimin që janë mësuar ta blejnë. Gjithashtu juristët justifikojnë edhe ndërhyrjen e shtetit për të, nëse monopolisti nuk e bën vetë diçka të tillë. Nëse rast të kundërt ai detyrohet ta bëjë apo i merret malli, që njerëzit të përfitojnë prej tij, ndërsa ai vetë të marrë vetëm kapitalin me të cilin ka blerë mallin. Pavarësisht dallimeve në qëndrime të teorive ekonomike dhe qëndrimit të Islamit, në lidhje me monopolin mund të themi se monopolist konsiderohet gjithkush që:

Kontrollon ngritjen apo uljen e çmimit.
Që bën politikë deskriminuese me çmimet.
Ai që kufizon apo që ndikon në hyrjen apo daljen prej tregut.
Rreziqet e monopolit:

Meqë sistemet ekonomike ne botë ndryshojnë nga njëri-tjetri, në sistemin socialist është shteti ai që ushtron monopolin, ndërsa në sistemin kapitalist janë individët. Në të dyja rastet përfundimi është i njëjtë, ku shfaqen shumë rreziqe përsa i përket individit apo shtetit. Ndër to mund të përmendim:
Monopoli shkakton vrasjen e shpirtit të konkurencës së ndershme midis individëve apo shtetit. Konkurenca sjell përsosmëri në punë dhe përmirëson cilësinë e prodhimit. Monopoli i shtyn prodhuesit që të eleminojnë një pjesë të burimeve të veta duke i djegur apo hedhur në det nga frika e uljes së çmimeve në tregun botëror. Monopoli përhap urrejtjen mes individëve, gjë e cila dëmton shoqërinë dhe dobëson marrëdhëniet mes individëve të saj. Monopoli shkakton një numër sëmundjesh ekonomike dhe sociale, siç është papunësia, inflacioni, depresioni, mitmarrja, hipokrizia, vjedhja, mashtrimi etj.
Si e lufton Islami monopolin?

Legjislacioni i shpall luftë monopolit dhe monopolistëve, të cilët të shtyrë nga dëshira për pasuri bëjnë tregti me nevojat e njerëzve dhe domosdoshmëritë e tyre. I Dërguari i Allahut ﷺ, thotë: “Kush bën një monopol për t’ia shtrenjtuar (çmimet) muslimanëve është gabimtar.” [2] Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ, thotë: “Kush i monopolizon muslimanëve një ushqim Allahu do ta godasë me lebrozë, ose me falimentim.” Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ, thotë: “Nuk monopolizon dikush tjetër veç gabimtarit.” [3]

Islami zotëron mekaznimat e duhur, që kjo sëmundje shkatërruese të mos përhapet në shoqëri, ndër to janë:

1- I pari i vendit paralajmëron monopolistët për shitjen e mallrave, që ata mbajnë të magazinuara me çmime të arsyeshme dhe nëse refuzojnë i lejohet të parit të vendit, që të sekuestrojë mallin e tij dhe ta shesë atë. Kjo bëhet në mënyrë që të largohet padrejtësia dhe që i pari i vendit të shlyejë amanetin para individëve.

2- Shteti siguron mallrat e domosdoshme duke përcaktuar një çmim për mallrat, që janë bërë të rralla në treg, për shkak të monopolit të disa njerëzve. Shteti krijon mekanizma për ngritjen e prodhimit në mënyrë që të shtohet oferta dhe të ulet çmimi. Në këtë mënyrë humbasin monopolistët dhe u dështon qëllimi për të cilin kishin punuar.

3- Nxitja e tregtisë dhe e shkëmbimit tregtar me shtetet e tjera për të shuar ofertën për mallrat e rralla.

4- Vendosja e çmimeve tavan, në mënyrë që të mos i bëhet padrejtësi, as shitësit dhe as blerësit, duke marrë edhe opinionin e ekspertëve të fushës. Vendosja e çmimit tavan të bëhet vetëm atëherë kur shteti i ka provuar të gjitha rrugët e mëparshme, sepse vendosja e çmimeve tavan mund të shkaktojë padrejtësi, shto këtu edhe ngushtimin e të drejtave të individëve për të ushtruar të lirë sipërmarrjet e tyre. Në kohën e të Dërguarit të Allahut u ngritën çmimet dhe njerëzit i thanë: “Vendosi çmimet për ne!” Profeti ﷺ iu përgjigj: “Allahu e lëshon dhe ngushton rriskun, është Ai që jep rriskun dhe Ai që i vendos çmimet. Unë shpresoj që ta takoj Allahun dhe askush prej jush të mos më kërkojnë ndonjë padrejtësi që ia kam bërë në gjak apo pasuri.” [4]

Pra vendosja e çmimeve tavan në raste jo të nevojshme mund të shkaktojë padrejtësi dhe sepse vetë monopoli është një lojë me çmimet dhe shfrytëzim i nevojave të njerëzve. Kur interesi lidhet me tërësinë e konsumatorëve, atëherë shteti mund të ndërhyjë për të vendosur çmime tavan si ndëshkim për njerëzit shfrytëzues dhe monopolistë. Në këtë mënyrë islami me jurisprudencën e tij bën thirrje për mirësi, drejtësi dhe tolerancë duke luftuar gjithçka, që prish dhe dëmton individin dhe shoqërinë.

Lidhja e Hoxhallarëve Shqiptarë

——————————–

[1] Ibn Maxhe

[2] Ahmedi

[3] Ahmedi

[4] Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ibn Maxhe