Pyetja:

Cili është përkufizimi i vitit apo kalendarit hixhri (hënor / islam)? Cila është dispozita e përdorimit të kalendarit sipas Mesihut apo Krishtit (kalendarit gregorian / diellor) dhe dispozita e mos/përdorimit të kalendarit hixhri?

***

Përgjigja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Së pari: Përkufizimi i vitit / kalendarit hixhri;

Fjala “hixhri” rrjedh nga fjala arabe “HEXHERA / la, u ndërpre, doli, iku, emigroi” dhe prej kuptimeve bazë të saj është ai i daljes apo emigrimit nga një tokë dhe shkuarjes në një tjetër, duke e lënë të parën për të dytën; teksa në kuptimin sheriatik (ligjor islam) kuptimi i hixhretit (emigrimit) është ”lënia e vendit (territorit / shtetit) joislam apo atij ku mbisundon bidati (risitë në fenë islame) apo harami dhe shkuarja atje ku mbisundon Islami; lënia e shoqërisë së keqe dhe veprave të këqija (harameve); si dhe hixhreti (emigrimi) në kuptimin e largimit apo ikjes prej dëmtimeve që cenojnë fizikun (trupin), pasurinë apo familjarët e muslimanit.

Po i këtij konteksti ishte emigrimi (hixhreti) i Profetit ﷺ nga Meka (ku ai dhe muslimanët po persekutoheshin rëndë në fenë e tyre), për në Medine (ku do themelonte edhe shtetin e parë islam). Së këtejmi vjen edhe kuptimi i vitit të ri hixhri, me të cilin synohet pikërisht viti kalendarik islam, viti i parë i të cilit daton (fillon) me vitin kur (në moshën 53 vjeçare) Profeti ﷺ emigroi nga Meka për në Medine (nisja për emigrim ishte më 27 Safer të vitit 13 pas Shpalljes / 13.09.622 diellor dhe mbërritja në Medine ishte më 12 Rabi‘a El-Euelu të po këtij viti).

Së dyti: Dispozita e përdorimit të kalendarit hixhri

Parësore për muslimanin është që t’i përdorë sa të mundet kalendarin hixhri dhe muajt hënorë, pasi Allahu i ka konsideruar ato në Kuran njehsim kohor për njerëzit, për haxhin, agjërimin e detyrueshëm të Ramazanit dhe agjërimin e ditëve të pëlqyeshme, zekatin dhe muajt e shenjtë; së këtejmi nuk është e denjë për muslimanin që të mjaftohet me përdorimin e kalendarit diellor (gregorian) dhe ta lërë mënjanë atë hixhri.

Gjithsesi, nuk është se ka ndonjë argument të qartë që të vërtetojë ndalimin e përdorimit të kalendarit diellor, sidomos nisur nga fakti se ai bën pjesë tek “masivizimi i belasë (ǓMUUMU EL-BELUE), pra tek problematikat e përhapura në masë të cilave u nënshtrohen masa dërrmuese e njerëzve, ngaqë ky kalendar është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre dhe është e vështirë të shmanget dhe bëhet pa të, nisur nga nevoja për të dhe problematikat që sjell mënjanimi i tij”, kësisoj bërja e tij haram (konsiderimi i tij i paligjshëm), për më tepër pa pasur ndonjë argument të qartë ndalues, me siguri që s’është në rregull.

o kështu bindja e gabuar që kanë të krishterët lidhur me Mesihun – sipas të krishterëve Mesian / Krishtin apo Isain – sipas të krishterëve Jezusin – (Paqja qoftë mbi të!), nuk e bën të ndaluar përdorimin e kalendarit gregorian (apo kalendarin sipas lindjes së Mesihut), përderisa ne si muslimanë besojmë se ai (Paqja qoftë mbi të!) ishte rob i Allahut, i Dërguari i Tij, Fjala e Tij që ia lëshoi Merjemes – sipas krishterëve Marias – (me kuptimin urdhër i Tij, që u bë fakt i kryer me shtatzaninë që i ndodhi Merjemes), shpirt i Tij (me kuptimin shpirt prej shpirtrave të krijuar prej Tij) dhe se lindja e tij ishte argument mbi madhështinë e fuqisë së Allahut të Lartësuar, duke e krijuar atë (Isain) me nënë dhe pa baba. Pra nuk ka asnjë lidhje angazhuese mes besimit të gabuar të të krishterëve dhe ndalimit të përdorimit të kalendarit sipas lindjes së Mesiut.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi