Pyetja:

Nëse fëmija ka babain musliman dhe nënën të krishterë, cilës fe i takon ai, asaj të babait apo asaj të nënës? Po nëse prindërit e fëmijës ndërrojnë fe dhe nga muslimanë kthehen në tjetër fe, cilës feje i takojnë fëmijët e tyre në këtë rast?

***

Përgjigjja:

Juristët muslimanë theksojnë se feja e fëmijës para pubertetit (mbërritjes së moshës së pjekurisë seksuale), ndjek fenë e prindërve të tij si vijon:

Së pari: Kur prindërit e fëmijës janë / bëhen muslimanë

a. Të gjithë juristët muslimanë janë të mendimit se fëmija që lind nga dy prindër muslimanë konsiderohet musliman varësisht dy prindërve të tij muslimanë;

b. Të gjithë juristët muslimanë janë të mendimit se nëse një baba me fëmijë të vegjël bëhet musliman, fëmijët e tij ndjekin fenë e babait të tyre, pra konsiderohen muslimanë varësisht babait të tyre musliman;

Së dyti: Kur të dy prindërit e fëmijës janë jomuslimanë

Gjithë juristët muslimanë janë të mendimit se fëmija që lind nga dy prindër jomuslimanë konsiderohet jomusliman varësisht dy prindërve.

Së treti: Kur prindi / prindërit e fëmijës bëhen renegatë

Mendimi parësor është se një person konsiderohet renegat vetëm nëse e tradhton (lëshon) fenë islame pasi paraprakisht ka qenë bërë musliman duke thënë dy dëshmitë islame mbas pubertetit.

Ndërsa lidhur me fenë e fëmijës me dy prindërit renegatë, thuhet sa vijon:

Rasti i parë: Kur renegati kthehet sërish në Islam

Kur renegati pendohet dhe kthehet sërish në Islam, ai konsiderohet musliman dhe po kështu fëmijët e tij, varësisht atij, konsiderohen muslimanë, edhe ata që kanë lindur para se ai të bëhej renegat edhe ata që kanë lindur pas kësaj.

Rasti i dytë: Kur renegatizmi ndodh pas lindjes së fëmijës

Mendimi konsensual i juristëve muslimanë (sipas Ibn Batalit) është se fëmija që i ka lindur renegatit teksa ky i fundit (renegati) ka qenë musliman (pra para se të bëhej renegat), konsiderohet musliman, varësisht prindit të tij që në kohën e lindjes së këtij fëmije ka qenë musliman, prandaj ky fëmijë mbetet në Islam edhe pas renegatizmit të mëpastajmë të prindit [ose dy prindërve] të tij dhe nuk bëhet renegat me renegatizmin e prindit të tij.

Së katërti: Islami i fëmijës së dalluar vlen, kurse renegatizmi i tij jo

a. Nëse fëmija musliman nuk e ka mbërritur moshën e pubertetit (pjekurisë seksuale) por është fëmijë i dalluar (në një moshë që i dallon gjërat) dhe në këtë kohë tërhiqet (heq dorë) nga feja islame, kjo nuk i merret atij në konsideratë (sipas mendimit më parësor, ai në këtë rast nuk konsiderohet renegat);

b. Shumica e juristëve muslimanë janë të mendimit se nëse fëmija i konsideruar jomusliman (dispozitivisht / varësisht prindërve të tij) nuk e ka mbërritur moshën e pubertetit (pjekurisë seksuale) por është fëmijë i dalluar (në një moshë që i dallon gjërat) dhe në këtë kohë e pranon Islamin, në këtë rast kjo i vlen atij dhe ai konsiderohet musliman.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi