Pyetja:
Jam një grua 25 vjeçare, kam një djalë 7 muajsh dhe jam e lumtur me burrin dhe me gjithë familjen, por kam një hall. Ka gati dy vite që kam një mundim, pasi dyshoj se vuaj nga sëmundja shpirtërore. Kam tentuar me lutje dhe dua të ndryshme por prapë nuk më merr gjumi, kam marramendje, më humb apetiti, bëhem pesimiste, kam një lloj zjarmije në kokë dhe më duket se do të çmendem. Këndoj shpesh Kur’an, falë Zotit që di sepse vetëm te Allahu shpresoj se do të më kalojë, mirëpo nuk di se a kam sehir apo më duhet të përdori tableta se ndoshta kam depresion. Edhe më keq bëhem kur mendoj se s’kam pse të bëhem kështu pasi që i kam të gjitha, më e mira është se kam fëmijë. A ka ndonjë dua enkas që ju ma preferoni ta këndoj, sepse jam në hall dhe askush nuk më kupton. Dua të lirohem nga kjo e keqe!
***
Përgjigjja:
Nuk është keq që për dyshimet eventuale që i keni për ndonjë sëmundje nga magjia apo të ngjashme ta bëni një provë për shërim me Kur’an dhe Sunnet te ndonjë hoxhë i besueshëm, që është i njohur për të mirë se merret me këtë çështje. Por njëkohësisht ju kisha preferuar që të keni ndonjë takim konsultativ me ndonjë hoxhë në bashkëprezencë të burrit tuaj dhe besoj se do të arrini ta gjeni daljen nga ato vuajtje që i ke përshkruar, me lejen e Allahut!
Vazhdoni të lexoni Kuran dhe dije se pesimizmi nuk ka vend në shpirtin e muslimanit aspak. Nëse Allahu të ka sprovuar me ndonjë sëmundje, atëherë duhet të punosh që ta kalosh atë provim me notën më të lartë të durimtarëve! Allahu thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare, 153)
Përveç kësaj shpeshtoje edhe këtë lutje:
“Allahumme, inni abduke ve’bnu abdike ve’bnu emetike, Nasijeti bijedike, madin fijje hukmuke, adlun fijje kadauke, es’eluke bi kul-li ismin huve leke, semmejte bihi nefseke ev al-lemtehu ehaden min halkike, ev enzeltehu fi kitabike, evis’te’therte bihi fi ilmi’l gajbi indeke en texhale’l kur’ane rebia kalbi ve nure sadri ve xhelae huzni ve dhehabe hemmi”
Kuptimi në shqip:
“O Allah! Unë jam robi Yt, bir i robit Tënd, bir i robëreshës sate. Fati dhe e ardhmja ime është në dorën Tënde. Gjykimi Yt është i respektuar tek unë dhe caktimi Yt është i drejtë për mua. Të lutem me çdo emër Tëndin, që e emërtove Veten me të (në Kuran), apo ia mësove dikujt prej robërve Tu, na lajmërove për të nëpërmjet shpalljes Tënde (Kur’anit), apo e le në botën e Gajbit tek Ti, që të ma bësh Kuranin kopsht të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, largues të dëshpërimit tim dhe çrrënjosës të preokupimit tim!”
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku