Pyetja:

Sa minuta para akshamit lejohet falja e ikindisë? Unë e kuptoj që, në rrethana të veçanta, lejohet edhe 5 minuta para akshamit, por dua të di kohën e fundit që është mekruh për t’u falur, p.sh. nëse falet ikindia 15-20 minuta para akshamit.

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Duhet ta kemi parasysh se kohët e namazeve janë të caktuara në formë të qartë dhe çdo namaz duhet të falet në kohën e tij të paraparë. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (Nisa, 103)

Gjithashtu, transmetohet nga i Dërguari i Allahut ﷺ se kur është pyetur cila vepër është më e dashur tek Allahu, ai ka thënë: “Namazi në kohën e tij.” [1]

Pastaj duhet ta dimë se koha e disa namazeve është më e ngushtë, sikurse namazi i akshamit dhe disa e kanë kohën më të gjerë sikurse namazi i jacisë.

Ndërsa, namazi i ikindisë, konkretisht kur përfundon koha e këtij namazi, themi se nga hadithet të cilat i kemi të transmetuara nga Pejgamberi ﷺ kuptojmë se kemi dy rrethana:

1. Në raste të rëndomta, kur nuk kemi arsye që ta vonojmë

Në këtë rrethanë, nuk bënë që ta vonojmë faljen e tij, para se të filloj të skuqet dielli. Skuqja e diellit është koha para perëndimit, përafërsisht dyzet minuta, ose ca minuta më shumë a më pak, varësisht a është koha e dimrit apo verës.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij prej jush që i ik namazi i ikindisë është njëjtë sikurse t’i kishte humbur familja dhe pasuria e tij.” [2]

Po ashtu në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Koha e namazit të ikindisë është deri sa të mos filloj të skuqet dielli.” [3]

2. Në raste kur kemi arsye, sikurse udhëtimi, gruaja me cikël dhe nuk pastrohet deri pak para perëndimit, ose na ka zënë gjumi, pa qëllim dhe jemi zgjuar para perëndimit të diellit, etj.

Në këto rrethana duhet ta falim namazin para perëndimit dhe nëse e falim, konsiderohet se e kemi arritur me kohë namazin. I Dërguari ﷺ ka thënë:

Kush arrin ta falë një rekat, para se të perëndoj dielli, ai e ka arritur namazin e ikindisë.” [4]

Nga ky hadith, gjithashtu mund të kuptojmë se nëse nuk e kemi falur ikindinë pak minuta para perëndimit, atëherë gjithsesi duhet ta falim dhe nuk bën ta lëmë deri pas perëndimit. Por, nëse këtë e kemi bërë nga neglizhenca dhe pa arsye, atëherë kemi mëkat. E, nëse e kemi harruar, pa qëllim dhe me arsye nuk kemi mëkat.

Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

——————————–

[1] Buhariu

[2] Buhariu 552

[3] Muslimi

[4] Buhariu