Pyetja:

Nëse dita e diel bie ditë Bajrami, a bën ta festojmë kur e dimë se dita e diel është festë e të krishterëve?

***

Përgjigjja:

Fillimisht themi se të gjitha ditët e javës, të muajit dhe të vitit  janë ditët e Zotit të Lartësuar, por nga urtësia e Tij, Allahu i Madhërishëm i ka veçuar disa ditë dhe kohë me veçori të veçanta. Për shembull, ditën e xhuma (e premte) e ka veçuar prej ditëve të tjera të javës duke e bërë festë javore për besimtarët, muajin Ramazan e ka dalluar nga muajt e tjerë, e kështu me radhë.

Asgjë të keqe nuk ka nëse qëllon festa e Bajramit ditën e diel, sepse ne nuk e festojmë të dielën pse është festë e të krishterëve. Po ashtu nëse qëllon Bajrami të shtunën, ne nuk e festojmë të shtunën pse është festë e hebrenjve, por e festojmë Bajramin në cilëndo ditë të javës që qëllon, ngase festat në Islam vijnë pas adhurimeve madhështore.

Fitër Bajrami vjen pas agjërimit të muajit Ramazan, ndërsa Kurban Bajrami vjen pas kryerjes së haxhit, prandaj  mund të bien në cilëndo ditë të javës, por është nijeti-qëllimi ai që përcakton synimin e festimit. Gjithashtu hebrenjve dhe të krishterëve nëse u bie ndonjë festë e tyre ditën e xhuma, nuk do të thotë se ata festojnë festën tonë, por kanë festën e vet, e cila ka qëlluar në ditën e xhuma.

Andaj në cilëndo ditë të javës që qëllon Bajrami nuk është problem fare, nuk ka të bëjë as me të shtunën e as me të dielën.

E nëse qëllon Bajrami në ditën e xhuma, atëherë ndodh bashkimi i dy mirësive, sepse janë dy festa, është festa vjetore që është Bajrami dhe është festa javore, që është xhumaja. Përndryshe, në cilëndo ditë të qëllojë asgjë të keqe nuk ka, muslimanët falin namazin e Bajramit dhe festojnë festën e Bajramit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi