Pyetja:
Forma të ndryshme të përgojimit të tërthortë
***
Përgjigjja:
Ka prej njerëzve që përgojojnë për t’iu përshtatur tubimit dhe shoqëruesve të tij, kurse e di që, ai i cili po përgojohet, është i pastër nga ajo çfarë thonë apo nga diçka që ata i përshkruajnë. Mirëpo, ai konsideron që, nëse do të t’i ndalonte ata, atëherë muhabeti do të mbaronte dhe njerëzit e pranishëm do t’i ngryseshin e do largoheshin prej tij. Kështu, ai bie në pajtim me ta nëpërmjet marrëdhënieve të mira shoqërore dhe, kur ata hidhërohen, hidhërohet edhe ai, për shkak se ata hidhërohen, kështu që ai vazhdon me ta. Pastaj ka të atillë që përgojojnë me forma të ndryshme. Nganjëherë kjo bëhet nëpërmjet formave fetare, kur thotë: “Nuk e kam shprehi të përmendi ndokënd veçse me të mirë, dhe nuk i pëlqej përgojimin dhe rrenat. Mirëpo, po të tregoj se si qëndron puna e tij”. Dhe thotë: “Pasha Allahun, ai është meskin (i mjerueshëm)”, apo thotë: “Ai është burrë i mirë, por e ka edhe këtë e këtë”, apo thotë: “Ta lëmë atë! Allahu na faltë ne dhe atë!”, kurse qëllimi i tij është që ta përçmojë dhe ta dëmtojë anën e tij. Në këtë mënyrë nxirret përgojimi nga forma e korrigjimit dhe nga feja. Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun me këtë mu siç e mashtrojnë krijimin. Ne e kemi dëshmuar këtë dhe të ngjashmen më këtë në ngjyra të ndryshme. Pastaj janë ata që e lavdërojnë ndonjë tjetër sa për sy e faqe, pastaj e ngritin vetveten duke thënë: “Sikur të isha lutur mbrëmë për filanin në namazin e natës, prej atij do të kisha marrë këtë e këtë”. Këtë e bën vetëm për ta ngritur vetveten ndërsa e ul me atë që mund t’i besojë atij. Apo mund të thotë: “Filani s’është i mprehtë dhe nuk kupton”. Kështu, qëllimi i tij është ta lavdërojë vetveten dhe t’ua bëjë me dije të tjerëve punën e atij tjetrit, dhe se ai është më i mirë se ai që po e përgojon. Po ashtu, janë edhe ata që përgojimin e shoqërojnë me inat, kështu që i bashkojnë dy gjëra të shëmtuara: përgojimin dhe inatin. Kështu, kur një individ lavdërohet, atëherë ai përpiqet ta largojë atë duke treguar mangësitë në formë feje dhe korrigjimi, apo në formë inati dhe sharjeje, me qëllim që ta largojë lavdërimin prej tij. Pastaj janë ata që përgojojnë në formë përqeshjeje dhe loje, me qëllim që t’i bëjnë të tjerët të qeshin nëpërmjet shakave dhe imitimit të tij, si edhe nëpërmjet nënvleftësimit të atij me të cilin bën shaka. Pastaj janë ata që përgojojnë në formë mahnitjeje, duke thënë: “Çuditem me filanin sesi nuk vepron kështu e kështu! Dhe çuditem me filanin sesi ka rënë në këtë e këtë dhe ka bërë këtë e këtë!”, duke përmendur emrin e tij gjatë serisë së mahnitjeve të tij. Ka edhe të tjerë që shfaqin keqardhje dhe thonë: “Filani është i mjerë. Më vjen keq për atë që i ka ndodhur dhe për fundin e tij”. Kështu, ai që e dëgjon, mendon se atij po i vjen keq për të dhe se i pikon në zemër që ai ta rimarrë veten, kurse, sikur të kishte mundësi, do t’ia shtonte mërzinë. Ai, po ashtu, mund ta përmendë atë në prani të armiqve të tij, që ata të mësojnë gjëra rreth tij. Pra, këto dhe të tjera veç kësaj janë prej sëmundjeve me të mëdha të zemrës si edhe përpjekje për mashtrim të Allahut dhe krijesave të Tij. Prej tyre është edhe ai që bën përgojim të qartë nëpërmjet hidhërimit dhe mosmiratimit të ndonjë gjëje të neveritshme. Në këtë mënyrë, nëpërmjet zbukurimit të së folmes, tregohet në disa gjëra që përmbajnë gabime, kurse qëllimi i tij është tjetër nga ai që ai shfaq.
Mexhmu el-Fetaua shejh el-Islam ibn Tejmije, vëll. 28, faqe 236-238