Pyetja:

A lejohet për jomuslimanët siç janë idhujtarët dhe komunistët që të hyjnë në xhamia, sepse janë disa që thonë lejohet për ta që të hyjnë në xhamia, shpresojmë që të përfitojmë nga kjo dhe mbase Allahu i udhëzon ata, e në anën tjetër janë disa që thonë nuk lejohet?!

Përgjigja:

Sa i përket Xhamisë se shenjtë (Qabesë), të gjithë pabesimtarëve u ndalohet hyrja në të, qofshin ata hebrenjtë, të krishterët, idhujtarët dhe komunistët. Të gjithë pabesimtarët e kanë të ndaluar hyrjen në Xhaminë e shenjtë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْمُشْرِكُونَ نَجَسٌ فَلا يَقْرَبُوا الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ بَعْدَ عَامِهِمْ هَذَا

“O ju që besuat, vërtetë idhujtarët janë të ndyrë, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më Xhamisë së shenjtë…”

| Teube 28 |.

Kështu që, Allahu i Lartësuar i ka ndaluar nga hyrja në Xhaminë e shenjtë. Kurse me fjalën idhujtarë përfshihen hebrenjtë dhe të krishterët në përgjithësi kur kjo shprehet. Pra nuk lejohet hyrja në Xhaminë e shenjtë për asnjë idhujtarë, as për hebre, as për të krishterë dhe as për dike tjetër pos tyre, sepse kjo është e veçantë për muslimanët!

Kurse, sa i përket xhamive tjera, nuk ka të keqe që të hynë në to kur kanë nevojë apo për ndonjë arsye të dobishme. Prej tyre është edhe Medinja, edhe pse kjo ka status të veçantë, mirëpo në këtë aspekt edhe kjo llogaritet sikur xhamitë tjera. Sepse, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kishte lidhur në të Thumametu ibën Ethel kurse ky ishte pabesimtarë, pra në xhaminë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem (e kishte lidhur).

Gjithashtu, e pranoi delegacionin e Thekifit kur hynë në xhami para se ta pranonin Islamin. Po ashtu, delegacioni i të krishterëve hynë në xhaminë e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E gjithë kjo aludon se lejohet hyrja në Xhaminë e Profetit për idhujtarin, e po ashtu lejohet edhe në xhamitë tjera kur ka nevojë, për të pyetur ndonjë gjë, apo për ndonjë arsye tjetër, apo për të dëgjuar ligjëratë ku përfitojnë prej saj, apo për t’u bërë musliman dhe për ta publikuar Islamin e tij, e të ngjashme.

Konkludojmë se, lejohet hyrja e tyre nëse ka ndonjë dobi, kurse nëse s’ka ndonjë dobi atëherë nuk ka arsye për të hyrë në xhami; apo në qoftë së kanë frikë së me hyrjen e tyre në xhami abuzohet xhamia, apo bëjnë çrregullim në të, apo e përlyejnë atë, atëherë ndalohen nga hyrja në të!

| Shejh Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë! |

Përktheu: B. Gj.