Pyetja:

Jam në martesë që 14 vite dhe nuk kemi pasur fatin të bëhemi prindër. Mirëpo, gjatë këtyre viteve, kur jam lutur i kam premtuar Allahut se nëse më Ai më dhuron një djalë, do ta emërtoj Muhamed si respekt ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ. E tash, në këtë Ramazan, në natën e Kadrit, morrëm lajmin që gruaja është shtatëzënë, por mesa kam dëgjuar, në të tilla raste, fëmija duhet të emërtohet me emra si Kadir, Kadri, ose të këtij lloji. Tani jam në dyshim: cili emër është më hajr t’i vendoset.

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Premtimi që i ke dhënë Allahut nuk bën të prishet, përveç nëse ke bërë një premtim që bie në kundërshtim me urdhrat e Zotit, pra që është haram. Ndërsa premtimi yt për t’i vënë emrin foshnjës Muhamed është një premtim i bukur dhe pa asnjë të keqe në të. Kësisoj, e ke obligim ta çosh në vend premtimin.

Kurse sa i përket emërtimit sipas natës së Kadrit, kjo nuk ka bazë në fe. Madje, është një shpikje (bidat) që as nuk ka urdhëruar për të Allahu i Gjithëdijshëm, e as Profeti i tij i ndershëm ﷺ, rrjedhimisht, as ka preferuar kush prej dijetarëve të mirëfilltë që të veprohet një gjë e tillë. E, shtoja kësaj edhe faktin se ju vetëm paskëshit pranuar lajmin se jeni shtatzënë në natën e Kadrit, e kjo nuk do të thotë që keni mbetur shtatzënë po në këtë natë. E as nuk e keni lindur foshnjën në këtë natë.

Po ashtu, ka mendime se nata e Kadrit lëviz, dhe jo gjithmonë ndodhet në natën e njëzeteshtatë. Sidoqoftë, një veprim i tillë nuk ka bazë në fenë Islame.

Kështu që, për hair i qoftë emri Muhamed, në dashtë Allahu, dhe jeni falënderues ndaj Allahut për këtë dhunti pas një kohe kaq të gjatë pritjeje.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Përgatiti: Hekuran Helshani