Pyetja:

Koha e namazit fillon kur të thirret ezani, por kur mbaron koha e namazit? A ka dallim mes vonimit të namazit dhe mosfaljes së namazit me kohë? Dhe cili është dënimi për të dyja këto?

***

Përgjigjja:

Sa i përket personit që qëllimisht e vonon namazin, derisa t’i kalojë koha atij namazi apo kurdis orën më vonë në mënyrë që të mos zgjohet me kohë, sipas krejt dijetarëve, ai qëllimisht nuk po falet dhe bën një gabim tepër të madh. Por, a është kjo kufr (mosbesim që të përjashton nga Islami), apo jo? Lidhur me këtë, ka dallime në mendime mes dijetarëve. Nëse personi nuk e mohon të qenit e namazit obligim, atëherë shumica e dijetarëve thonë që ai nuk del nga feja. Disa dijetarë janë të mendimit se ky është kufr i madh, i cili e përjashton personin nga Islami, sepse Pejgamberi ﷺ thënë: “Mes njeriut dhe shirkut (adhurimit ndaj të tjerëve krahas adhurimit ndaj Allahut) dhe kufrit (mosbesimit) qëndron lënia e namazit.” [1]
“Besëlidhja mes neve dhe atyre është namazi. Kushdo që e lë namazin, është kafir (jobesimtar).” [2]

Tabi’iu i famshëm Abdullah ibn Shekik el-Akiili tha: “Sahabët e të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk konsideronin se lënia e një gjëje përbën kufr, përveç lënies së namazit.” Sa i përket vonimit të namazit, kjo i referohet dy gjërave:
1. vonimit të namazit, derisa t’i përfundojë koha atij namazi. Këtë e shpjeguam më lart

2. vonimit të namazit deri në fundin e kohës së atij namazi.

Shejh AbdulAzizi Ibn Baz, “el-Meusu’ah el-Fikhijjeh” 10/6

Është më mirë që namazi të falet në kohën e kërkuar nga sheriati. Prej këtu, Pejgamberi ﷺ kur iu përgjigj atij që pyeti se cila është vepra më e dashur për Allahun, ai ﷺ tha:
“Namazi me kohë.” [3] Ai nuk tha: ’Namazi në fillim të kohës së tij’. Kjo, sepse namazi përfshin disa namaze të cilat është sunet të falen më vonë. Është sunet që jacia të falet më vonë, pasi të kalojë një e treta e natës. Që këtej, nëse një grua është në shtëpi dhe pyet se cila është më mirë: të falet jacia, kur të dëgjohet ezani, apo ta vonojë atë, derisa të kalojë një e treta e natës? Themi: Është më mirë të vonohet, derisa të kalojë një e treta e natës, sepse Pejgamberi ﷺ e vonoi një natë jacinë, derisa thanë: ”O i Dërguar i Allahut, gratë dhe fëmijët kanë rënë në gjumë”, kështu që ai u çua dhe i udhëhoqi në namaz dhe tha: “Kjo do të ishte koha e saj, sikur të mos ishte e vështirë për umetin tim”. Pra, nëse një grua gjendet në shtëpinë e saj, është më mirë për të që ta vonojë jacinë. Ngjashëm, nëse një grup merr udhë dhe vjen koha për faljen e jacisë, a është më mirë për ta të falin jacinë më herët, apo më vonë? Themi që është më mirë ta vonojnë, nëse kjo s’do t’u shkaktojë ndonjë vështirësi. Në rastin e namazeve tjera, është më mirë të falen herët, përveç nëse ka ndonjë arsye për të vepruar ndryshe. Pra, namazi i sabahut duhet të falet më herët, namazi i drekës duhet të falet më herët, ikindia duhet të falet më herët dhe akshami duhet të falet më herët, përveç nëse ka ndonjë arsye për të vepruar ndryshe. Dhe ndër këto arsye janë: Nëse është shumë nxehtë, mund të vonohet namazi i drekës, derisa të flladitet pak, dmth., derisa të afrohet koha e ikindisë. Sepse temperatura bie pak, kur afrohet koha e ikindisë. Pra, është më mirë të falemi kur është më pak nxehtë, sepse Pejgamberi ﷺ tha:
“Kur është shumë nxehtë, pritni derisa të ftohet pak para se të faleni, sepse intensiteti i nxehtësisë vjen nga fryma e xhehenemit.” [4]
Pejgamberi ﷺ ishte në një udhëtim dhe Bilali u çua për ta thirrur ezanin, por Pejgamberi ﷺ i tha: ”Prit, derisa të flladitet”. Pastaj edhe një herë Bilali u çua për të thirrur namazin dhe Pejgamberi ﷺ prapë i tha: ”Prit derisa të flladitet”. Pastaj, më vonë, Bilali u çua për ta thirrur namazin dhe Pejgamberi ﷺ e lejoi. [5]

Një tjetër arsye është kur ka mundësi të falet namazi me xhemat në fund të kohës. Në këtë rast, vonimi është i rekomanduar. Për shembull, nëse një person gjendet jashtë qytetit, kur të hyjë koha për namaz, dhe ai e di që do ta mbërrijë qytetin dhe të falet me xhemat nga fundi i kohës së namazit. A është më mirë që ai të falë namazin kur të hyjë koha, apo të vonojë për ta falur me xhemat kur të mbërrijë në qytet? Themi që është më mirë që ai ta vonojë, derisa ta mbërrijë xhematin. Bile, themi se është obligim vonimi i namazit në këtë rast, në mënyrë që ai ta mbërrijë faljen e namazit me xhemat.

Shejh Ibn Uthejmin, “Fetaua Erkan el-Islam”, fq. 287

———————————–

[1] Muslimi

[2] Ahmedi dhe katër autorët e Suneneve

[3] Buhariu 527 & Muslimi 85

[4] Buhariu 537 & Muslimi 615

[5] Buhariu 629 & Muslimi 616