▪️Dihet se njeriu e ka aftësinë e të menduarit, arsyetuerit, analizimit dhe zgjedhjes së veprimit të tij dhe prandaj ai është i ngarkuar me përgjegjsi për veprimet e tij.
Mirëpo ku qëndron kjo aftësi në trupin e tij që ai të kujdeset për të?
Tekstet fetare përmendin zemrën, mjeksia thotë se është në tru, atëherë si shpjegohet kjo aftësi e njeriut?

▪️Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë- i përgjigjet kësaj pyetjeje dhe thotë:
“Logjika qëndron në shpirtin e njeriut me logjikë, ndërsa në trup ka lidhje me zemrën siç thotë Allahu i madhëruar:
“A nuk kanë ecur në tokë që të kenë zemra që logjikojnë”.
Është pyetur Ibn Abasi -radiallahu anhu- se me çfarë e ke arritur dijen? Ai është përgjigjur: Me gjuhë që pyet dhe zemër që logjikon.
Mirëpo fjala zemër përdoret për atë copëz mishi që ngjan si boçe pishe dhe që është në anën e majtë të trupit të njeriut dhe që brendësinë e saj ka një copë gjaku të ngjizur dhe të zezë siç është përdorur në dy librat e saktë (Buhariu dhe Muslimi) se Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Në trupin e njeriut është një copëz e cila nëse rregullohet, rregullohet i gjithë trupi dhe nëse prishet, prishet i gjithë trupi dhe ajo është zemra”.
Por (me fjalën zemër) mund të jetë për qëllim edhe ana e brendshme e njeriut në përgjithësi sepse zemra e diçkaje është e brendshmja e tij siç thuhet: zemra e grurit, bajames, arrës etj dhe prandaj është quajtur pusi [kalib] sepse nxjerr ujin nga zemra e tij dhe që është ana e tij e brendshme. Atëherë, nëse me fjalën zemër është për qëllim ky kuptim, logjika ka lidhje edhe me trurin e njeriut dhe prandaj është thënë se logjika është në tru, siç thonë shumë mjekë dhe është transmetuar edhe nga Imam Ahmedi”.

▪️Kështu, Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije nëpërmjet këtij citati do të thotë se nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se logjika qëndron në zemër sepse kështu ka treguar dhe Kurani mirëpo ata janë në kundërshtim në përcaktimin e fjalës zemër e cila sipas përdorimit arab të fjalës dhe ndoshta jo vetëm arab ka dy përdorime: edhe për copëz mishi që quhet zemër edhe për të brendshmen në përgjithësi.

▪️Pastaj Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije sjell mendimin e disa dijetarëve dhe mundohet të bëjë një lidhje mes atyre që thonë se është në zemër dhe atyre që thonë se është në tru:
“Disa nga shoqëruesit e Imam Ahmedit thonë se baza e logjikës është zemra dhe kur përsoset përfundon në tru”.

▪️Pastaj Shejhu i Islamit jep mendimin e tij për këtë çështje dhe thotë: “E sakta është se edhe shpirti ka lidhje me të siç ka lidhje me ato të dyja (zemrën dhe trurin) por fillimet e mendimeve janë në tru dhe fillimi i dëshirës është në zemër ………..kështu të dy mendimet kanë diçka nga e sakta”.

▪️Allahu e mëshiroftë Shejhun e Islamit, Ibn Tejmije i cili shpesh herë sjell gjykime me vlerë.
Lidhja e logjikes me: shpirtin, zemrën dhe trurin tregon se për të pasur një logjikë të shëndoshë duhet kujdesur për të treja ato:
Trurin që të mos furnizohet me gjëra që japin mendime të gabuara
Zemren që të mos rende pas deshirave te ndaluara
Shpirtin që të mos mësohet me huqe dhe vese

Dr. Abdullah Nabolli