Pyetja:

Kujt i takon kujdestaria e fëmijës në rast divorci?

***

Përgjigja:

Fillimisht, të meditojmë rreth fjalëve të Allahut të Madhëruar:

“..Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që Allahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.” Nisa: 19

Pastaj, kujdestaria e fëmijës në rast divorci para së gjithash i takon nënës së tij. Por, nëse nëna martohet e drejta i kalon nënës së nënës (gjyshja nga nëna), nëse nuk ka, i kalon nënës së babait. Kjo sepse kujdestaria e fëmijëve është e drejtë e grave dhe nëna e tij është më e dhembshur për ta se të tjerët. Përcillet se Pejgamberi [ﷺ] i tha një nëne: “Ai të takon ty, përderisa nuk martohesh përsëri.” [1]
Pra pas martesës së saj me dikë tjetër kujdestaria e fëmijës duhet të rishikohet përsëri. Kur fëmija mashkull mbush moshën shtatë vjeç atij i kërkohet të zgjedh mes prindërve, dhe i takon prindërit që ai zgjedh. Nëse është vajzë atëherë babai i saj është më parësor, sepse ajo ka nevojë për mbrojtje dhe përkujdesje e ndërsa gruaja, vetë ka nevojë për diçka të tillë. Këtu ne i jemi referuar mendimit të imam Ahmedit për këtë çështje dhe fetvasë së Komisionit të Përhershëm të Fetvave, por gjithsesi nisur edhe nga mendimet e shkollave të tjera fëmija çfarëdo qoftë, djalë apo vajzë, nuk lihet në dorë të atij që nuk është i kujdesshëm dhe nuk përmbush detyrimet ndaj fëmijës.

Allahu e di më së miri.

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

———————————
[1] Ebu Davudi