Kush janë Beni Israilët?

Beni Israilët, është emër i përmendur shpesh në Kuran dhe me të  janë për qëllim bijtë e Jakupit -alejhi selam- dhe ata që rrodhën prej tyre, sepse ai njihet gjithashtu edhe me emrin Israil.

Emri Israil është llagap i Jakupit -alejhi selam-, siç është emri Mesih për Isain -alejhi selam-.
Ibn Abbasi -radiallahu anhu- thotë: “Nuk ka te profetët e Beni Israilëve ndonjë profet me dy emra përveç Isait, Mesihu dhe Jakupit, Israili.” E transmeton Hakimi dhe e saktëson Dhehebiu.

Llagapi Israil sipas komentuesve të Kuranit do të thotë: ose Rob i Allahut dhe kështu i bie të jetë si emri Abdullah te myslimanët, ose i Zgjedhuri i Allahut dhe Allahu e di më së miri.
Shih Tefsir El-Begauij: 1/109.

Jakupi -alejhi selam- ose ndryshe Israili, është biri i Is’hakut -alejhi selam-, i cili trashëgoi profetësinë pas babait të tij dhe begatinë e familjes së Ibrahimit -alejhi selam- pas tij.
Allahu i madhëruar e ka cilësuar Jakupin -alejhi selam- në Kuran me cilësi të mira si: udhëzimi, dija e hollë, mirësia, durimi ndaj caktimeve të Zotit, meraku i madh për ruajtjen e fesë etj.

Allahu i madhëruar e begatoi Jakupin alejhi selam me dymbëdhjetë djem, siç i ka përmendur ata në Kuran njëri prej bijve të tij, Jusufi, kur i tregonte atij ëndrrën dhe i thoshte:
“O babai im! Kam parë në ëndërr njëmbëdhjetë yje dhe Diellin e Hënën duke më rënë në sexhde!” sure Jusuf: 4.
– Komentuesit e Kuranit thonë: “Njëmbëdhjetë yjet në këtë ëndërr simbolizojnë vëllezërit e Jusufit -alejhi selam-, të cilët bashkë me Jusufin bëheshin dymbëdhjetë vëllezër, ndërsa Dielli dhe Hëna simbolizojnë babanë dhe nënën e tij”. Shih Tefsir Ibn Kethir: 4/369.

– Këta janë bijtë e Israilit, të cilët janë për qëllim te emri Beni Israilë, emër të cilin e gëzojnë edhe ata që rrjedhin prej tyre.
▪️Këtyre ua pati lënë Jakupi -alejhi selam- amanet fenë e drejtë, me të cilën u dallua familja e Ibrahimit, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:
“A ishit ju dëshmitarë kur i erdhi Jakupit vdekja dhe ai atëherë u tha bijve të tij: Kë do të adhuroni pas meje? Ata i thanë: Do të adhurojmë të adhuruarin tënd dhe të adhuruarin e baballarëve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një i adhuruar i vetëm dhe ne Atij i dorëzohemi.”, sure El-Bekare: 133.
▪️Në këtë ajet duket qartë se Jakupi -alejhi selam- nga meraku i madh për djemtë e tij, që ata të mos e humbin fenë e drejtë, deshi që në fund të jetës së tij, të dëgjojë nëpërmjet gojëve të tyre deklaratën e besimit, që ajo të jetë për ta amaneti i tij pas vdekjes.

Shkëputur nga libri “Shami dhe Veçoritë e tij në Islam”