Pyetja:

A është haram që mashkulli të mbajë zinxhir argjendi?

***

Përgjigjja:

Në parim mashkullit i lejohet të përdorë ndonjë stoli prej argjendi, si p.sh., unaza, mirëpo vënia e zinxhirit të argjendit në dorë apo në qafë konsiderohet prej stolive të veçanta të grave, prandaj burrave u ndalohet t’u përngjajnë grave në veshje dhe në stolitë e tyre dhe anasjelltas. Ibën Abbasi r.a. transmeton se Pejgamberi ﷺ i ka mallkuar burrat që bëjnë përngjasim me gratë dhe gratë që bëjnë përngjasim me burrat.” [1]

Po ashtu transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ i ka mallkuar burrat që veshin veshje grash dhe gratë që veshin veshje burrash.” [2]

Andaj themi se nuk është fare në rregull dhe nuk i ka hije mashkullit të vendosë zinxhir argjendi në dorë apo në qafë, edhe pse në esencë argjendi është i lejuar për mashkullin, mirëpo në këtë rast ndalesa është për shkak të përngjasimit me gratë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 5885.

[2] Ebu Davudi, nr. 4098. Albani e ka konsideruar sahih.