Pyetja:

Mua dhe dajës tim na është dhënë gji nga gjyshja ime, e cila është nëna e tij. A duhet bijat e mia të mbulohen përpara tij, duke pasur parasysh se më është dhënë gji më shumë se pesë herë?

***

Përgjigjja:

Nëse të është dhënë gji nga gjyshja jote me pesë gjidhënie të sigurta, atëherë ti bëhesh fëmijë i saj dhe fëmijët e saj janë motra e vëllezër tu, si të mëdhenjtë, ashtu edhe të vegjlit prej tyre. Nëse ata bëhen vëllezërit e tu, atëherë bëhen dajallarë të bijave tua. Bazuar në këtë, është e lejueshme që bijat tua të mos mbulohen përpara tij. [1]

Shejh Ibn Baz tha: ”Nëse një grua i jep një fëmijës gji pesë herë brenda dy viteve apo më shumë se pese herë, fëmija konsiderohet si bir i saj …” [2] Dëshmi për këtë janë edhe transmetimet e përcjella nga Muslimi (1452) nëpërmjet Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të) e cila tha: “Mes gjërave të shpallura në Kuran ishte se dhjetë gjidhënie të plota e bëjnë personin mahrem, por pastaj kjo u shfuqizua dhe u zëvendësua me pesë gjidhënie të plota”.

Definicioni i gjidhënies është siç e përshkroi Ibn el-Kajjim: “Një gjidhënie (rad’ah) është kur fëmija merr gjirin dhe fillon të thithë dhe pastaj e lëshon (gjirin) pa qenë i shtrënguar ta bëjë këtë. Kjo është një gjidhënie, sepse Ligjvënësi iu referua një gjidhënieje në terma të përgjithshëm, kështu që atë duhet interpretuar sipas traditës, dhe kështu është tradita. Nëse fëmija ndalon për një kohë të shkurtë, me qëllim që të marrë frymë apo të pushojë, apo për ndonjë tjetër gjë që ia tërheq vëmendjen, por shpejt i kthehet gjirit, kjo konsiderohet si një gjidhënie, mu sikurse personi i cili han dhe pushon për pak dhe menjëherë i kthehet ngrënies; kjo nuk konsiderohet si dy ngrënie, por si një. Ky është mendimi i Shafiut. Dhe nëse fëmija lëvizë nga njëri gji në tjetrin, kjo konsiderohet një gjidhënie”. [3]

Dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Ajo që bëhet mahrem (e ndaluar për martesë) nëpërmjet gjidhënies, është ajo që bëhet mahrem nëpërmjet lidhjeve të gjakut”. [4]
Dijetarët e Komisionit të Përhershëm për dhënien të Fetvave thanë: “Gjidhënia e cila vendos marrëdhënien e mahremit është ajo, që ndodh pesë apo më shumë herë në dy vitet e para …” [5]

islamqa.com

———————————————————–

[1] Shejh ibn Uthejmin Lika el-Bab el-Meftuh 40/8.

[2] Mexhmu Fetaua ibn Baz 22/274.

[3] Zaad el-Mea’d (5/575).

[4] Buhariu, 2645; Muslimi, 1447.

[5] Fetaua el-Lexhne ed-Da’imeh 21/116.