Pyetja:

Nëse më ikin tri xhuma rend pa i falur, çfarë të bëj?

***

Përgjigjja:

Falja e namazit të xhumasë është farz ajn-obligim individual për çdo musliman, mashkull, të moshës madhore që është i lirë, i shëndetshëm dhe me qëndrim në vendbanimin e tij, pra nuk është udhëtar. Allahu xh.sh., thotë:

O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini. E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim.” (Xhumua: 910)

Mosfalja e namazit të xhumasë pa arsye të justifikueshme konsiderohet prej mëkateve të mëdha dhe si pasojë kush nuk i fal tre namaze të xhumasë radhazi pa arsye, Allahu i Lartësuar ia vulos zemrën. Pejgamberi ﷺ ka thënë: ”Kush i lë tre namaze të xhumasë radhazi nga pakujdesia, Allahu ia vulos zemrën.” [1]

Ky hadith na bën me dije se gjendja e imanit të atij që e lë namazin e xhumasë nga pakujdesia është në rrezik, prandaj shpëtimi i vetëm është pendimi i sinqertë dhe përkujdesja ndaj namazeve ditore, në veçanti ndaj namazit të xhumasë.

Muslimani mund të mos ketë mundësi të marrë pjesë në faljen e namazit të xhumasë me arsye të justifikueshme, si f.v. sëmundja, udhëtimi, mungesa e lirisë, apo është në detyrë zyrtare që ka të bëjë me interesin e përgjithshëm, si siguria e vendit, përkujdesja shëndetësore, ruajtja e objekteve dhe vendeve që janë me interes të veçantë si dhe rasteve të ngjashme me to. E nëse të gjitha rrugët i kanë shterur dhe nuk kanë pasur sukses, atëherë ata inshaAllah konsiderohen të justifikuar dhe lirohen nga obligimi i faljes së namazit të xhumasë, por obligohen që në vend të namazit të xhumasë të falin namazin e drekës, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

Sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut… (mbajeni dinin sa të mundeni).” (Tegabun: 16)

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

———————–

[1] Tirmidhiu, nr. 500, dhe ka thënë: “Hadithi është hasen”. Ndërsa Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.