Pyetja:
Edhe sot e kësaj dite ka të atillë, të cilët thonë se alkooli nuk është i ndaluar, me gjithë përpjekjen për t’i bindur se është i ndaluar. Po të ishte e ndaluar në mënyrë të prerë Zoti i Lartmadhëruar do të kishte thënë: “Ju është ndaluar alkooli”, sikundër ka thënë: “Ju janë ndaluar cofëtina, gjaku dhe mishi i derrit …”. (Maide: 3). Por, për alkoolin Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “Nuk ka dyshim se alkooli dhe putat janë fëlliqësirë e prej veprimeve të shejtanit…, andaj largojuni…”. (Maide: 90).
Cili është mendimi i Shejh Sharaviut për ndalimin e alkoolit?
Përgjigjja:
Imami i nderuar, Shejh Sharaviu thotë:
Nuk ka dyshim se alkooli në Kuran është i ndaluar rreptësisht dhe në mënyrë të prerë. Për këtë nuk ka çka të diskutohet. Mirëpo, përdorimi i fjalës së Zotit të Lartmadhëruar “Largohuni” ka kuptim më të fortë se ndalimi duke përdorur thënien “Ju është ndaluar alkooli”.
Pra, fjala “Largohuni” ka kuptimin për të mos iu afruar “kurrë”. Gjithmonë duhet larguar nga gjërat që i ka ndalur Allahu, të mos i afrohesh kufirit të ndalesës asnjëherë, sepse nëse i afrohesh mund të mashtrohesh, ndërsa pastaj sprovohesh. Pra, fjala “Largohuni” është më e fuqishme sesa shprehja “MOS E VEPRO”. E njëjta gjë është edhe me prostitucionin, siç është përdorimi i fjalisë: “Dhe mos iu afroni prostitucionit”. Pra, mos iu afroni vijës (derës), sepse shpërthen dera e epshit dhe e shejtanit. Nga këtu shihet se: Nuk ka dyshim që shprehja “mos iu afroni” është më e fuqishme dhe më e prerë se forma e ndalimit. Sepse, po të më kishte thënë mua Zoti i Lartmadhëruar: Ju është ndaluar alkooli, atëherë do të më ishte lejuar për t’i shërbyer alkoolistët dhe nuk do të kisha vepruar në kundërshtim me ligjin e ndalimit të alkoolit. Po ashtu do të më ishte lejuar të prodhoja alkool, të bëja tregti me alkool, të hapja restorant të alkoolit, të mbaja në shtëpi për gosti të të tjerëve, të qëndroja në mesin ku pihet alkooli dhe nuk do të kisha bërë kurrfarë mëkati për gjërat e tilla etj.
Mirëpo, fjala e Zotit të Lartmadhëruar “Largohuni” ka kuptimin se muslimani e ka të ndaluar që të jetë në vendin ku përdoret alkooli ose për ta bartur, ose të bëj tregti me të. Pastaj vjen hadithi, i cili sqaron në detaje, ku Muhamedi a.s. thotë: “Allahu e ka mallkuar alkoolin, alkoolistin, shërbyesin e bartësin…”, deri në fund të hadithit.
Muhamed Muteveli Sharavi (Shqipëroi: Musli Verbani)
Marrë nga: Libri “Fetfat e Sharavit”, Editor: Fondacioni i Rinisë Islame