Pyetja:

Përdersia Kurani është i plotë, i kompletuar dhe i garantuar për ligjin islam, për çfarë nevojitet atëherë Suneti (Tradita Profetike)? Cila është pozita që gëzon Suneti (Tradita Profetike) në raport me Kuranin, mbështetur me argumente kuranore dhe profetike?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Argumentet autentike kuranore dhe profetike që vërtetojnë se Suneti është burim kategorik i ligjit islam, janë të shumta dhe ne po mjaftohemi me sa vijon:

Së pari: Thënie kuranore

Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (Ahzab: 36)

Ne i kemi nisur të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre…” (Nisa: 64)

Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.(Nisa: 65)

Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut.(Nisa: 80)

Ai (Muhamedi) nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.(Nexhm: 3)

Allahu të shpalli ty Librin (Kuranin) dhe Urtësinë e plotë (sunetin).” (Nisa: 113)

Së dyti: Thënie profetike

është dhënë Libri (Shpallja Kuranore e lexueshme) dhe si ai (Suneti) krahas tij (Kuranit). [1]

Vërejtje, do të jetë afër kur një burrë i ngirë (ngopur) [naiv dhe mendjemadh], anueshëm mbi ulësen e tij [do t’i mohojë legjitimimet profetike që nuk janë përmendur në Kuran, ashtu që do] të thotë [lidhur me refuzimin e sunetit që atij nuk i vjen për terezie]: ‘Ju e keni obligim t’i përmbaheni këtij Kurani; çfarë të gjeni në të prej hallallit (legjitimes) ta konsideroni hallall dhe çfarë të gjeni në të prej haramit (jolegjitimes) ta konsideroni haram!’ Vërejtje [tek këto legjitimime nga tradita profetike që nuk janë përmendur në Kuran dhe që tregojnë se tradita profetike autentike është argument legjitimues në vetvete janë për shembull urdhëresat profetike se], për ju nuk është e ligjshme (lejuar) ngrënia e gomarit shtëpiak dhe as e çdo bishe me stërdhëmbë… Vërejtje, faktikisht edhe çfarë ka bërë haram (shpallur të paligjshme) i Dërguari i Allahut ﷺ është ashtu si çfarë ka bërë haram (shpallur të paligjshme) Allahu (dhe kjo vlen edhe për hallallin).”

– Një argument i fuqishëm që shkul nga rrënjët pretendimin fallso të kujt lë pas dore Sunetin (Traditën Profetike) dhe mjaftohet me Kuranin si burim i vetëm dispozitash për fenë islame, është fakti se, ne si muslimanë jemi të urdhëruar në Kuranin fisnik që mospajtimet tona t’i referojmë tek Kurani dhe Suneti, bazuar në thënien kuranore: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit (sunetit/traditës Profetike), nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.“ (Nisa: 59)

Së këtejmi atyre që nuk pajtohen për ta marrë në konsideratë Sunetin si burim dispozitash për fenë islame krahas Kuranit, u mbeten dy alternativa karshi argumentimit kategorik të këtij ajeti kuranor: (së pari) ta pranojnë këtë argument, d.m.th. të shtrëngohen t’i kthehen Sunetit, e së këtejmi pretendimi i tyre asgjësohet; ose (së dyti) nëse nuk i kthehen Sunetit, bien kësisoj në kundërshtim me Kuranin (që pretendojnë se është i panevojshëm për Sunetin).

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi

——————

[1] Ahmedi