Pyetja:

Cilat janë disa nga vlerat e thënies “La hawle we la kuwwete il-la bil-lah” dhe kur thuhet ajo?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Thënia “LAA ȞAULE UE LAA ǨU-UETE IL-LEE BIL-LAAH / Çdo lëvizje (shndërrim / ndryshim) dhe çdo forcë (fuqi / mundësi) ekziston vetëm me dashjen e Allahut ”, njihet ndryshe me shkurtimin “EL-ȞAUǨALEH” dhe në lidhje me vlerat kryesore të kësaj thënie dhe se kur thuhet ajo, dijetarët muslimanë përmendin sa vijon:

Së pari: Vlerat e thënies “EL-ȞAUǨALEH”

Shprehja madhështore “EL-ȞAUǨALEH” është konsideruar nga Profeti ﷺ prej thesareve të Xhenetit, duke synuar të rrënjos tek ne faktin se lëvizja, shndërrimi, fuqia dhe mundësia egzistojnë vetvetiu vetëm tek Krijuesi, Allahu i Madhëruar; ndërsa tek krijesat ato ndodhin vetëm kur Krijuesi do. Mbi këtë fakt hidhet dritë në transmetimin e ardhur nga Ebu Musa El-Eshari (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë: ‘A s’do të të tregoj për një prej thesareve të Xhenetit?!’ Unë i thashë: ‘Patjetër.’ Ai (Profeti ﷺ) tha: ‘Thuaj: ‘LAA ȞAULE UE LAA ǨU-UETE IL-LAA BIL-LAAH / Çdo lëvizje (shndërrim / ndryshim) dhe çdo forcë (fuqi / mundësi) ekziston vetëm me dashjen e Allahut.’”

Të tjera vlera madhështore të saj do ceken në transmetimet profetike vijuese.

Së dyti: Kur thuhet thënia “EL-ȞAUǨALEH”

Kjo thënie madhështore thuhet veçmas kryesisht kur njeriu befasohet nga një çështje e madhe të cilën e ka të pamundur ose shumë të vështirë për ta kryer, si dhe thuhet e pëfshirë krahas përmendjeve të tjera në rastet në vijim:

a. Gjatë zgjimit natën

Për kë zgjohet natën, është mustehab (vepër e pëlqyeshme) ta thotë këtë thënie të përfshirë me përmendjet e ardhura në transmetimin e Ubade Ibn Samit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku vjen se ai thotë: “Profeti ﷺ ka thënë: ‘Kush përmendet me zë [zgjohet] përgjatë natës dhe thotë: ‘LAA ILAAHE IL-LALL-LLAAHU UAȞDEHU LAA SHERIIKE LEHU, LEHUL-MULKU UE LEHUL ȞAMDU, UE HUE ĂLEE KUL-LI SHEJ-IN ǨADIIR, EL-ȞAMDU LIL-LAAHI, UE SUBȞAAN-ALL-LLAAH, UE LAA ILAAHE IL-LALL-LLAAHU, UELL-LLAAHU EKBER, UE LAA ȞAULE UE LAA ǨU-UETE IL-LAA BIL-LAAH / Nuk ka të adhuruar të meritueshëm përveç Allahut, Një i Vetëm është Ai dhe i Pashoq, Atij i takon sundimi, Atij i takon falënderimi dhe Ai është i Aftë të bëjë çdo gjë [që do]. Falënderimi absolut i takon Allahut. Lavdiplotë (e i Patëmetë) është Allahu. Nuk ka të adhuruar të meritueshëm përveç Allahut. Allahu është më i Madhi. Çdo lëvizje (shndërrim/ndryshim) dhe çdo forcë (fuqi/mundësi) ekziston vetëm me dashjen e Allahut’- dhe pastaj thotë: ‘ALL-LLAAHUM-ME-GFIR LII / O Allah falmë mua!’,- ose bën dua (lutje); (ky person) ka për të marrë përgjigje (i pranohet lutja). Ndërkaq, nëse ai merr abdes dhe falet, namazi i tij pranohet.”

b. Kur muezini thotë: “ȞAJ-JE ĂLEŠ-ŠALAAH” ose “ȞAJ-JE ĂLEL-FELAAȞ”

Kur muslimani dëgjon thënien e muezinit: “ȞAJ-JE ĂLEŠ-ŠALAAH / Ejani në namaz” ose “ȞAJ-JE ĂLEL-FELAAȞ / Ejani në shpëtim”, ligjërohet (është mustehab / vepër e pëlqyeshme) që të thotë: “LAA ȞAULE UE LAA ǨU-UETE IL-LEE BIL-LAAH / Çdo lëvizje (shndërrim / ndryshim) dhe çdo forcë (fuqi / mundësi) ekziston vetëm me dashjen e Allahut.”

c. Kur dilet nga shtëpia

Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush thotë (kur del nga shtëpia): ‘BISMIL-LAAH, TEUK-KELTU ĂLELL-LLAAH, LAA ȞAULE UE LAA ǨU-UETE IL-LEE BIL-LAAH / Me emrin e Allahut [po dal]. Iu mbështeta Allahut (ia kam besuar Atij të gjitha çështjet e mia] dhe çdo lëvizje (shndërrim/ndryshim) e forcë (fuqi/mundësi) ekziston vetëm me dashjen e Allahut’,- atij i thuhet: ‘U mbrojte’,- dhe shejtani largohet prej tij.”

Allahu e di më mirë.

Bashkim Aliu