Pyetje: Pse emrat e disa muajve hënorë përshtaten me kohë të veçanta të vitit?
Përgjigja: Është e vërtetë se emrat e disa muajve hënorë përshtaten me kohë të veçanta të vitit si psh:
Ramazan: Muaji i nxehtë
Rabij: Muaji i daljes së barit
Xhemada: Muaji i ngrirjes së ujit
Dhe është dukuri e çuditshme, ndërkohë që muajt hënorë lëvizin gjatë vitit dhe nuk i përmbahen një stine të veçantë.
Muajt hënorë janë, herë me 29 ditë dhe herë me 30 ditë dhe të gjithë së bashku bëjnë 354 ditë gjatë vitit, ndërsa viti diellor ka 365 ditë, çfarë do të thotë se viti hënor ecën 11 ditë më shpejt se viti diellor dhe ky është shkaku se pse muajt hënorë lëvizin dhe nuk i përmbahen një stine të veçantë. Përsëritja e kohës në vartësi të stinës në muajt hënorë ndodh vetëm njëherë në 33 vjet.
▪️Sipas komentuesve të Kuranit, komentuesve të haditheve profetike dhe historianëve të Islamit mendohet se emërtimet e muajve me këta emra janë bërë nga arabët e vjetër para-Islamit, atëherë kur ata duke ndjekur zakonet e popujve të tjerë devijuan nga feja e drejtë e Ibrahimit -alejhi selam-.
Arabët janë pasardhës të Ibrahimit -alejhi selam- siç janë edhe Beni Israilët dhe Allahu i Madhëruar i kishte kërkuar atij që muajt dhe vitin ta llogarisnin sipas hënës siç ishte shkruar që ditën e krijimit të qiejve dhe tokës. Kur ndodhi devijimi i arabëve nga zakonet e Ibrahimit -alejhi selam- siç ndodhi edhe me Beni Israilët, në këto devijime bënte pjesë edhe fiksimi i muajve hënor për tu përshtatur me stinët që ata donin.
Ata për ta arritur këtë qëllim, vendosen ti shtojnë kalendarit hënor një muaj të trembëdhjetë një herë në tre vjet, sepse në tre vjet mblidheshin aq ditë sa për të shtuar një muaj dhe kështu shtyheshin muajt për tu përshtatur me stinët.
Thuhet se qëllimi i arabëve për ndërhyrje në matjen e kohës ishte fiksimi i muajit të Haxhit në një kohë të përshtatshme, sepse Haxhi për ta përveç se ishte sezon adhurimi ishte edhe sezon tregtie dhe përfitimesh ekonomike.
Për herë të parë ky ndryshim mendohet të ketë ndodhur dy qind vjet para se të vinte islami dhe mendohet që ata kanë pasuar hebrenjtë në këtë adet.
▪️Astronomi më i njohur mysliman Ebu Rihan El-Bijroni i vdekur në vitin 362 sipas hixhretit në lidhje me këtë adet thotë:
“Arabët e morën këtë adet nga hebrenjtë dhe e kanë praktikuar atë dyqind vjet para se të vinte Islami veçse hebrenjtë në dallim nga arabët në çdo njëzet e katër vjet shtojnë 9 muaj”.
Mbaron këtu fjala e tij Allahu -Allahu e mëshiroftë-.
Shih librin e tij me titull El-Athar El-Bakije: 14.
▪️Kjo ndërhyrjeje për fiksimin e muajve bëri që përputhja e muajve realë me muajt e tyre pas fiksimit të mos ndodh veçse njëherë në tredhjet e tre vjet.
Hera e fundit që ka ndodh kjo përputhje ka qenë në kohën e Haxhit të profetit Muhamed -alejhi selam- dhe ai atëherë ka thënë:
《Koha tashmë është rrotulluar dhe është kthyer siç e ka krijuar Allahu i madhëruar ditën e krijimit të qiejve dhe të tokës. Viti është dymbëdhjetë muaj. Katër prej tyre janë të shenjtë》
E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Profeti -alejhi selam- me këto fjalë, e ndaloi ndërhyrjen në kohë dhe pas kësaj ngjarjeje ka pasur vetëm përputhje me muajt realë.
Kthimi në llogaritjen e saktë të muajve bëri që muajt jo vetëm të lëvizin siç ishin në fillim para ndërhyrjes por bëri që edhe emrat e muajve të mos i përshtatën më kuptimeve të tyre siç thotë El-Bijroni -Allahu e mëshiroftë-. Shih librin e tij: El-Athar El-Bakije: 14.
Abdullah Nabolli




