Përgjigja: Studiuesit nga dijetarët janë të mendimit se ngjarjet e Ditës së Gjykimit kalojnë nëpër nëntë faza.
Faza e parë: Ringjallja. Që njerëzit të dalin nga varret e tyre në tokën e tubimit (Mahsher). Do të zgjatet qëndrimi i tyre dhe do të vuajnë nga etja e fortë.
Faza e dytë: Haudi. Do të pijë nga Haudi e të Dërguarit të Allahut alejhis-selam ai që ka qenë në sunetin e tij dhe ka vdekur në sunetin e tij. Pastaj, më pas, do të ketë një Haud për çdo profet.
Faza e tretë: Ndërmjetësimi. Ndërmjetësimi i madh nga i Dërguari i Allahut alejhis-selam kur ai do të ndërmjetësojë te Allahu i Lartësuar për të shpejtuar llogarinë, që Allahu i Lartësuar të gjykojë midis robërve.
Faza e katërt: Llogaria dhe shpërndarja e librave. “Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë, do ta ketë të lehtë llogarinë dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij. Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, do të lutet për të vdekur dhe në zjarr do të digjet.” Do ta marrë librin e tij me dorën e majtë pas shpinës së tij, Allahu na ruajttë!
Faza e pestë: Peshorja. Është një peshore që ka dy krahë realë. Në të vendoset robi, veprat e tij dhe fletët e tij dhe ajo që ka rëndësi është vepra.
Faza e gjashtë: Hyrja e jobesimtarëve në zjarr.
Allahu na ruajttë!
Faza e shtatë: Ura e Siratit. Kur të vendoset mbi kurrizin e Xhehenemit. Kalimi i njerëzve do të jetë sipas veprave të tyre. Kush nxitonte në përmbushjen e adhurime në dynja këtu, do të jetë i shpejtë këtu. E kush ka qenë i ngadaltë këtu, do të jetë i ngadaltë këtu. Mbi urë do të kalojnë besimtarët në dukje. Në të hyjnë hipokritët, por do të bien që në fillim të kalimit mbi urë. Në të do të bien mëkatarët nga besimtarët, siç e kemi përmendur në Akiden el-Uesitijeh. Pastaj fundi i tyre, i mëkatarëve të besimtarëve, është në Xhenet.
Faza e tetë: El-Kantara. Është një urë e vogël pas Siratit dhe para Xhenetit. Aty do të zgjidhen mosmarrëveshjet nga padrejtësitë në dynja, për të pastruar shpirtrat dhe për të hequr çfarë ka në to nga urrejtja dhe armiqësia: “Dhe do të heqim çfarë ka në gjokset e tyre nga urrejtja.”
Faza fundit, e ajo është e nënta: Hyrja në Xhenet.
I kërkojmë Allahut të Lartësuar të na bëjë ne dhe ju prej banorëve të Firdeus të lartë!
Përktheu: Unejs Sheme / Shejh Salih el-Kahtani




