Pyetja:
Pse falet namazi i xhenazes dhe cila është vlera që përfitohet nga ky namaz?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Parimisht duhet ditur se muslimani/ja lipset të udhëhiqet nga urdhëresat dhe dispozitat hyjnore dhe t’u dorëzohet atyre edhe nëse nuk arrin ta mësojë urtësinë e tyre, pasi jo për çdo urdhëresë sheriatike (ligjore islame) mund të shpjegohet aryseja dhe të kapet urtësia e saj nga mendjet njerëzore, si dhe sepse disa herë ndodh që arsyetimet e bëra në këtë kontekst të pësojnë kusure (mangësi) që konkluzionin e nxjerrë e bëjnë objekt debatesh; kështu që qëndrimi parësor që duhet të mbajë muslimani është arsyetimi i dispozitave ligjore islame me rregullin “Është kështu pse kështu ka vendosur ligji hyjnor”.
Së pari: Lidhur me të vdekurin musliman të cilit i falet ky namaz
Namazi i xhenazes i falet çdo të vdekuri musliman (me përjashtim të muslimanit të rënë dëshmor në fushëbetejë) dhe është ligjëruar si lutje (dua) përmes së cilës kërkohet zbritja e faljes dhe mëshirës hyjnore mbi këtë trup të vdekur që tanimë ka përfundur në gjendjen e pamundësisë për të vepruar. Prej të mirave të këtij namazi është se ai konsiderohet prej shkaqeve të lehtësimit të gjendjes së muslimanit të vdekur dhe ndërmjetësimit për të me lejen e Allahut. Është detyrë e vëllazërisë në emër të besimit islam që ta përcjellin këtë udhëtar për në botën tjetër, duke iu drejtuar Allahut të Madhëruar dhe duke e lutur Atë që ta falë dhe mëshirojë të vdekurin musliman, t’ia falë barrat e mëkateve, ta çlirojë prej Zjarrit dhe të pranojë ndërmjetësimin që kjo vëllazëri muslimane bëjnë për të.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka transmetuar se Profeti ﷺ ka thënë: “Çdo muslimani (-je) që vdes dhe ia falin xhenazen dyzet burra (persona) që nuk i bëjnë shok Allahut asgjë [e adhurojnë Allahun Një të Vetëm e të Pashoq], ka për t’ia pranuar Allahu ndërmjetësimin e tyre [të sinqertë tek Allahu për këtë të vdekur, përmes lutjes së tyre zemërhapur për faljen dhe mëshirimin e këtij të vdekuri]” pra i vdekuri mëshirohet me namazin që i gjalli ia fal atij dhe lutja që ky numër të gjallësh (për më tepër kur ata janë edhe më shumë se kaq) bëjnë për të vdekurin në këtë namaz, është prej shkaqeve që Allahu ta falë këtë të vdekur.
Së dyti: Lidhur me falësin e namazit të xhenazes
Ibn AbdulBerri thotë: “Prezantimi i xhenazeve përbën shpërblim, devotshmëri e mirësi dhe lajmërimi që bëhet për to përbën bashkëpunim në të mirë e devotshmëri, si dhe rrugën që shpie tek shpërblimi i prezantuesit të xhenazes dhe të vdekurit që prezantohet.”
Ebu Hurejrah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “‘Kush e prezanton xhenazen derisa t’i falet namazi ka (si shpërblim) një karat (njësi mase) dhe kush e prenzanton atë derisa të varroset ka dy karatë. Dikush tha: ‘Çfarë është karati?’: Ai tha: ‘Si dy male të mëdhenj’” kurse në transmetimin tjetër vjen: “Kujt del me xhenazen nga shtëpia e saj, e fal namazin e kësaj xhenazeje dhe pastaj e ndjek atë derisa të varroset, atij i takon një shpërblim dy karatë, secili si mali i Uhudit; ndërkaq kujt e fal namazin e kësaj xhenazeje dhe pastaj kthehet [nuk e ndjek derisa të varroset], atij i takon një shpërblim si Uhudi.”
Allahu e di më mirë.
Dr. Bashkim Aliu