Pyetja:
Pse janë shtuar rastet e dhunës në familje?
***
Përgjigjja:
Nga frytet e zhvillimit dhe emancipimit të sotëm modern Shqipëria po përballet me një fenomen shumë negativ në shoqëri, krimi dhe dhuna, krimi në familje dhe jashtë saj. Është bërë gati normale të dëgjojmë çdo ditë në edicionet e lajmeve kronikën e zezë, e cila është bërë pjesë e rëndësishme e këtyre edicioneve, si dhe debateve të shumta nëpër studiot televizive. Është folur shumë për dhunën në familje, dhunën kundër fëmijëve dhe grave, vrasjeve dhe vetëvrasjeve të shumta, të cilat tanimë janë bërë normale për ne. Vetë kronika e zezë tashmë duhet vënë në pikëpyetje, sepse po ndihet pesha e saj në ndërgjegjen tonë sociale. Madje për këtë duhet hapur një debat më vete, a duhet t’i jepet kaq rëndësi asaj sa i jepet apo jo? Televizioni dhe rrjetet sociale po rezultojnë si mjete të efektshme për edukimin masiv të popullsisë, prandaj duhet shikuar me shumë vëmendje edhe ky fenomen ndikues.
Fakti që në shoqërinë tonë ndodh dhe është shtuar së tepërmi një fenomen i tillë është tregues, se shoqëria shqiptare lëngon dhe vuan nga shumë drejtime, të cilat nganjëherë njerëzit më të dobët i çon drejt dhunës në përgjithësi, drejt vrasjes apo edhe vetëvrasjes.
Nëse do të shikojmë më në thelb do të vërejmë se motivet e dhunës janë xhelozia, tradhtia, vjedhja, imoraliteti, stresi, varfëria e tejskajshme etj. Në studiot televizive diskutohet gjerë e gjatë rreth këtyre fenomeneve me pasion nganjëherë flitet edhe me keqardhje, por e gjithë vëmendja përqendrohet tek politika dhe forca politike në pushtet, se nuk ka bërë sa duhet për të ndalur këtë fenomen. Shpesh herë i vihet faji edhe policisë së shtetit, që në fakt nuk janë edhe pa faj. Mirëpo ne si shoqëri kemi nevojë për një pakt social, dhe modelet e duhura ku duhet të mbështetemi.
Modelet të cilat po na serviren për të zgjidhur këtë problem janë ligjet e Perëndimit, ku garantohen të drejtat dhe të sigurojnë jetën. Në fakt nuk janë simptomat e sëmundjes ato që duhet të na bëjnë neve përcaktimin e diagnozës, por shkaqet që i shkaktojnë këto simptoma, pra duhet ta thellojmë analizën tonë, se pse ndodhin këto fenomene në shoqërinë tonë, e cila më parë, edhe pse jo në këtë stad zhvillimi arsimor e teknologjik, nuk i ka pasur këto fenomene, e jo më me këto shifra të frikshme të krimit brenda familjes, apo edhe dhunës ndaj femrës. Ndërkaq ne nga Perëndimi kemi huazuar vetëm modelet e hidhura dhe jo ato të punës me korrektësi, e për një jetë të qetë familjare.
Ne si popull në origjine kemi një kulturë lindore islame dhe si të tillë në vitet para-komuniste, dhe si pasojë edukata fetare ka qenë ajo mbizotëruesja në masen e popullit çka e bënte më të lehtë jetën me rregullat fetare, të cilat kishin në thelb të drejtën, dhe mbrojtjen e njeriut, mbase jo me garantuesin shtet, por nëpërmjet zakoneve dhe parimeve fetare dominuese.
Është e vërtetë se nuk ka pasur krime të shumta, e as dhunë brenda familjes sa sot, ku ne mendojmë se jemi më mirë se sa para 60 vjetësh. Në fakt është feja Islame ajo e cila garanton me forcën e parimeve të saj dhe ligjeve të saj mbrojtjen dhe sigurimin e jetës, pasurisë, dhe nderit të njerëzve, sepse këto janë prej pesë qëllimeve të shenjta për të cilat ka ardhur Feja Islame.
Largimi nga besimi dhe parimet e tij hyjnore bën që njeriu ta humbë rrugën e drejtë, atë rrugë të ndriçuar nga Krijuesi i Tij thotë Allahu në Kuran: “Atij që Allahu ia ka zgjeruar kraharorin për besimin islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjerë janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin Allahun, të tillët janë në humbje të qartë..” (Zumer: 22)
Në një vend të panjohur dhe mbushur plot rreziqe çdokush nga ne ka nevojë për udhëzues, që të gjejë rrugën e duhur, e cila nuk ka rreziqe dhe vështirësi.
Kjo botë në të cilën jetojmë i ngjan pak a shumë shembullit të lartpërmendur, nëse nuk do të kemi besim tek Allahu i Madhëruar dhe në Kuranin Famëlartë ligjet e të cilit rregullojnë dhe garantojnë një jetë më të qetë dhe të lumtur në këtë botë, si dhe shpëtim në atë tjetrën.
Për të gjitha fenomenet dhe shkaqet që na çojnë deri në këtë pikë ka folur dhe i ka trajtuar Allahu i Madhëruar në Kuran, dhe nëse nuk do t’i bindemi Atij, dhe nuk do t’i zbatojmë këto parime, atëherë nuk do të jemi të mbrojtur dhe të garantuar, sepse kemi marrë një rrugë, e cila nuk e dimë se ku do të na shpjerë në fund. Fundi është stres, sëmundje, dhunë, vrasje, vetëvrasje, grabitje, përdhunime etj. Për sa thamë Allahu i Madhëruar thotë: “E kush largohet nga përkujtimi ai do të jetojë një jetë të vështirë e në Diten e Gjykimit do ta ringjallim të verbër, do të thotë: Zoti im përse më ringjalle të verbër, kur unë kam qenë me shikim? I thotë: Ashtu siç ti i harrove argumentet tona, po ashtu sot ne do të harrojmë ty.” (Ta Ha: 124–125–126)
E lusim Allahun e Madhëruar për udhëzim në Islam për të gjithë për të gjetur shpëtimin dhe lumturinë e humbur.