Falënderimet i takojnë Allahut Fuqiplotë, Zotit Krijues e të gjithëdijshëm i cili krijoi dhe përsosi, e krijoi njeriun në formën më të bukur, e mësoi atë të shkruajë me pendë dhe i mësoi atë që nuk e dinte.

Përshëndetjet më të mira dhe bekimet e Zotit qofshin për të dërguarin e Tij dhe vulën e Profetëve Muhamedin. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për familjen e Profetit, për shokët e tij besnikë dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Me të vërtetë Allahu i Gjithëdijshëm e përsori universin, krijesat e shumëllojshme dhe vetë njeriun. Pjesë e përkryerjes dhe përsosmërisë është se asgjë nuk u krijua kot, pa asnjë qëllim por çdo gjë është e ndërtuar,vendosur apo lëviz sipas një rendi, rregulli précis dhe harmonie të plotë. Vetë njeriu si një qënie komplekse fizike e biologjike  është pjesë e këtij universi gjigand që tregon dhe dëshmon se nuk është krijuar pa qëllim, por që të njohë, falënderojë dhe adhurojë Zotin e tij. Për këtë arsye agjërimi ka qenë detyrë edhe për pupujt e mëparshëm. Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” Surja Bekare 183.

  Ashtu sikur ne duhet të jemi mirënjohës ndaj njëri tjetrit për të mirat reciproke që shkëmbejmë ashtu duhet të jemi mirënjohës dhe ndaj Zotit që na krijoi, rregulloi, furnizoi dhe na dha aq shumë mirësi e begati të cilat nuk mund ti numërojmë dot kurrë.

  Që të madhërojmë dhe falënderojmë për të gjitha mirësitë dhuruesin e tyre, Zotin e Gjithëdijshëm nuk mund të gjejmë dot format e duhura sepse njeriu sa do i përsosur të jetë si krijesë është dhe i mangët dhe i dobët në të njëjtën kohë. Andaj dhe një krijesë e mangët në natyrën e vet nuk ka se si të adhurojë dhe falënderojë në formën më të mirë Krijuesin e Plotë e Suprem. Thënë ndryshe njeriu nuk mund ta adhurojë Zotin e tij sipas dëshirës, sepse njerëzit do të sajonin forma adhurimi nga më të ndryshmet ku disa do të shkonin në ekstrem e disa të tjerë do të neglizhonin në varësi të pasioneve dhe dëshirave të tyre.

Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj Zotit me të gjithë qënien tonë sepse ne jemi të pajisur me mirësitë e Tij brenda dhe jashtë nesh, madje jemi duke notuar në detin e mirësive të Zotit të Madhërishëm. Për këtë arsye Allahu me urtësinë dhe dijen e Tij të pakufishme na ka bërë detyrë ta adhurojmë Atë përveç formave të tjera dhe me ritin e agjërimit, një adhurim krejt i veçantë nga adhurimet e tjera për të shprehur mirënjohje ndaj Zotit duke filluar nga brendësia e qënies njerëzore. 

Andaj dhe unë si qënie njerëzore me logjikë të pastër dhe arsye të shëndoshë dhe si musliman që pranoj ti dorëzohem dhe nënshtrohem vetëm Atij që më krijoi nuk kam pse të tregohem mosmirënjohës, neglizhent dhe mospërfillës ndaj urdhrave hyjnorë. Pasi që Zoti jo vetëm që nuk na urdhëron përtej mundësisë tonë, por kërkon nga ne shumë më pak nga ajo që ne kemi mundësi të veprojmë si dhe na urdhëron të praktikojmë ato adhurime të cilat e përkryejnë njeriun në jetën e tij të kësaj bote ashtu siç vetë Zoti e përkryu fillimishtt natyrën njerëzore. Pra agjërimi dhe shtyllat e tjera të Islamit janë plotësim dhe në përputhje të plotë me natyrën njerëzore, adhurime të cilat në të vërtetë janë udhëzim për mendjen, gjallëri për trupin, energji për zemrën dhe ushqim për shpirtin.  Ato janë dritë për besimtarin dhe ngritje për të në një stad më të lartë për përsosjen e moralit të tij. Pra agjërimi dhe adhurimet e tjera nuk janë thjesht detyra, dobia e të cilave kthehet te vetë njeriu por në të vërtetë ato kanë ardhur në përputhje të plotë me natyrshmërinë e pastër të njeriut dhe nevojën që ai ka për të qenë afër Zotit të Plotfuqishëm kudo dhe kurdo.

Pse mos të jem mirënjohës me agjërim ndaj Zotit tim?  Njerëzit janë ata që shikojnë vrenjtur, flasin dhe mendojnë keq kur ti nuk falënderon dikë prej tyre për një dhuratë që ta dha. E si mos të jem falënderues dhe mirënjohës ndaj Allahut që më krijoi, më dha mendjen, arsyen, trupin, shqisat që të kuptoj dhe analizoj gjithçka përreth meje?

Pse mos të agjëroj duke respektuar mikun më të mirë që më çoi Zoti, muajin e madhërishëm të ramazanit, i cili është muaji i përkushtimit, durimit dhe sakrificës, muaji i mëshirës, faljes dhe lirimit nga zjarri, muaji i mirësisë, bujarisë, dhe begatisë, muaji i vlerave, virtyteve dhe pësosjes së moralit?

Pse mos të agjëroj kur Ramazani dhe agjërimi i tij është shanci më e mirë dhe rasti më i volitshëm për të reflektuar dhe për t’u lidhur me Zotin e Madhërishëm?

  Pse mos të agjëroj kur shikoj se muaji i Ramazanit është muaji që më bën të shoh veten dhe gabimet e mija dhe me nxit të largohem nga të metat, mangësitë dhe gabimet e njerëzve, të mos merrem me to dhe mos të hulumtoj për ti gjetur ato.

Pse mos të agjëroj kur agjërimi më bën të njoh, të kuptoj dhe të analizoj më mirë vetveten si dhe të njoh dhe të kuptoj më mirë realitetin e jetës?

Pse mos të agjëroj kur agjërimi më zgjon ndërgjegjen? Ashtu sikur njeriu çohet natën,prish gjumin dhe rehatinë, fillon sakrificën që me natë ashtu zgjohet dhe ndërgjegja e tij. Ky zgjim vazhdon deri në mbrëmje kur çel iftarin dhe ky cikël rizgjimi vazhdon për një muaj të tërë.

Pse mos të agjëroj kur ky cikël adhurimi më tjetërson si njeri, më bën mendjen më të kulluar, me stabilizon më shumë trupin, më pastron zemrën e bashkë me zemrën edhe shpirti?

Pse mos të agjëroj kur agjërimi është një disiplinë që rregullon jetën, rregullon shëndetin, rregullon dhe stabilizon dëshirat, pasionet dhe espshin, të skalit durimin, të bën më shumë njerëzor dhe human, shton ndjenjat pozitive për njerëzit që vuajnë, stabilizon mendimet dhe konceptin e të menduarit?

  Pse mos të agjëroj kur në këtë muaj hapen dyert e qiellit, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe Allahu zbret mirësitë dhe begatitë e tij enkas për agjëruesit?

   Pse mos të agjëroj kur ky adhurim i veçantë hap dyert e Xhenetit ku Zoti ka përgatitur atë që syri s’e ka parë, veshi s’e ka dëgjuar dhe mendja s’e ka menduar?

   Pse të kem frikë njerëzit dhe opinionet e tyre kur agjërimi më bën më shumë të njerëzishëm për të mirën e vetë atyre që mendojnë për mua keq dhe më paragjykojnë?

  Pse mos të agjëroj me përkushtim derisa dhe njerëzit e tjerë të kuptojnë mirësitë dhe realitetin e agjërimit?

  Pse të shqetësohem nga mendimet e njerëzve kur agjërimi më çliron shpirtin dhe më largon shqetësimet? Më largon nga e keqja, më çliron nga robëria e krijesave dhe më afron te Krijuesi?

  Pse të kem frikë nga ata njerëz që janë të boshatisur në shpirtin e tyre? Apo është më mirë që t’u bindem atyre që të boshatis shpirtim tim me duart e mija e të bie në nivelin  e tyre?

   Pse të bie pre e opinionit, të tregoj mungesë vendosmërie, karakter të dobët dhe vartësi nga fjalët dhe mendimet e njerëzve? Njerëzit janë ata që flasin dhe të pengojnë për të mos filluar një punë të mbarë e më pas kur shikojnë se je i vendosur dhe nuk të parandalojnë dot thonë: Të lumtë ashtu vazhdo!

  Është e vërtetë që agjërimi sjell etje dhe uri por etja e agjërimit më zbut më shumë zemrën dhe uria e agjërimit më ushqen shpirtin. Të gjithë njerëzit mundohen të ushqejnë trupin e tyre por përsëri nuk janë të lumtur sepse nuk munden dot të ushqejnë shpirtin dhe të kujdesen për të. Prandaj shikojmë që shumica e njerëzve janë të robëruar në shpirt. Një shpirt i robëruar nga Krijesat nuk mund ta çlirojë tjetër përpos Atij që e krijoi dhe agjërimi është një adhurim që vetë Krijuesi e solli për njeriun që ai të çlirohet në shpirt dhe të përsoset në natyrën e tij.

  Pse mos të agjëroj kur e di që agjërimi është provë se kush do jetë i gatshëm e kush jo, cili do jetë adhurues më i mirë, i përkushtuar dhe cili do të jetë neglizhent dhe i pakujdesshëm ndaj urdhrave hyjnorë të Zotit të Plotfuqishëm? Pse ta krahasoj vetën time me ata që tregohen kryeneçë, arrogantë, mendjemëdhenjë  dhe mosmirënjohës me Zotin që i krijoi?

  Pse mos të agjëroj kur shikoj se agjërimi më largon nga robëria e dëshirave dhe pasioneve duke më bërë që të jem unë kontrollues i dëshirave dhe i pasioneve , e pasi me çliron dhe ushqen shpirtin  më bën të kthjellohem e të qartësoj qëllimet dhe synimet e mija?

  Pse mos të agjëroj kur agjërimi i vërtetë dhe i sinqertë më bën të vetëdijshëm të kontrolloj gjuhën, fjalët, sjelljet dhe punët?  Më bën të kontrolloj shikimin, dëgjimin, ndjenjat dhe mendimin.

  A mos vallë kam frikë për shëndetin dhe trupin tim? Zoti me dijen dhe urtësinë e Tij të pakufishme nuk e ngarkon njeriun për diçka që është e dëmshme sepse Ai vetë na ka ndaluar nga shumë gjëra pikërisht sepse ato janë të dëmshme për njeriun dhe shëndetin e tij. Përkundrazi, dobitë shëndetsore të agjërimit janë aq shumë sa do të bindnin çdo njeri për të agjëruar që të arrijë atë që arrin një agjërues i vërtetë në trupin, shëndetin, zemrën dhe shpirtin e tij.

  Së fundmi shikojmë se agjërimi skalit durimin,  tregon dhe forcon sinqeritetin, qetëson shpirtin, forcon zemrën, kuron egon, zhvillon modestinë, rrit shpresën, ngulit besimin, kultivon sakrificën, përmirëosn sjelljen, zbukuron moralin dhe të lidh me Atë për të cilin kemi nevojë në çdo minutë dhe çdo sekond, me Allahun e Plotpushtetshëm.

Kështu pra shikojmë se agjërimi ka dobi fetare, morale, shëndetsore, sociale dhe shoqërore për këdo që arrin të kuptojë realitetin e këtij adhurimi madhështor.  Andaj e lusim Zotin e Lartësuar të na çelë zemrat për të kuptuar të vërtetën, të na hapë shpirtin për tu lidhur me Të, të na forcojë ndërgjegjen dhe qartësojë mendimet, vërtet Ai ka pushtet të plotë për çdo gjë.

Përgatiti Mustafa Tërniqi