Pyetja:

Pse nuk më qetëson namazi?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Namazi është një praktikë mjaft e rëndësishme në jetën e besimtarit, pasi është lidhja direkte që krijon besimtari me Krijuesin e tij, Zotin. Ajo pse nuk ju qetëson namazi, në kuptimin se ju nuk po mundeni ta gjeni përkushtimin dhe qetësinë gjatë faljes apo nuk po vëreni shenjat e kësaj lidhjeje me Krijuesin në jetën tuaj, pasi nuk po mund të arrini devotshmëri dhe rehati shpirtërore, themi se nisur nga disa pyetje që ju i parashtruat më herët, vërejmë se sikur ju bartni disa dyshime rreth Islamit dhe mësimeve të tij.
Këto gjëra janë pengesë e arritjes së qetësisë dhe të rehatisë. Prandaj gjëja e parë me të cilin do t’ju këshilloja është që të mundoheni t`i qaseni më seriozisht gjendjes suaj. Do t`ju porosisja që të kërkoni shoqëri që ka njohuri më shumë rreth Islamit, që të mundoheni të jeni më të hapur në përgjigjen rreth dyshimeve që janë të pranishme në zemrën tuaj. Pastaj gjithashtu ju këshilloj të lexoni pak më shumë rreth Islamit dhe e falënderojmë Allahun që literatura islame është e mjaftueshme që ju t`i plotësoni njohuritë tuaja rreth gjërave që keni nevojë të mësoni.

Gjithashtu, ju rekomandojmë që të lexoni ndonjë libër që sqaron vlerën dhe urtësinë e namazit. Kam bindjen se nëse ju jepni mundin tuaj në këto këshilla që përmendëm, atëherë do të arrini ndryshimin e gjendjes suaj rreth namazit, por edhe rreth Islamit në përgjithësi. Lexoni çfarë thotë Allahu i Lartësuar rreth namazit: “Fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.” (Ankebut: 45)
Lusim Allahun e Lartësuar t’jua hapë zemrën dhe të arrini qetësi dhe devotshmëri në jetën tuaj dhe t’ju bëjë nga ata që arrijnë shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!

Alaudin Abazi