Pyetja:

Desha të më informoni pak rreth qëndrimit të Ehli Sunetit ndaj Ehli Bejtit-familjes së Muhamedit ﷺ.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Qëndrimi i Ehlu Sunetit ndaj Ehlu Bejtit është e sqaruar shumë qartë në librat e Akides (librat që flasin rreth çështjeve të besimit), prandaj edhe kjo konsiderohet si temë e Akides.

Ata thonë se dashuria ndaj familjes së Muhamedit ﷺ është pjesë e fesë dhe kjo konsiderohet adhurim. Allahu i Lartësuar e urdhëron Muhamedin ﷺ të kërkoj nga muslimanët mirësjellje ndaj Ehlu Bejtit të tij, Ai thotë: “Thuaj (o Muhamed)! Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim vetëm se respekt dhe dashuri ndaj të afërmve (Ehli Bejtin).” (Shura, 23). Seid ibën Xhubejri kur komenton këtë ajet thotë se është për qëllim që muslimanët ta duan familjen e tij, ta respektojnë dhe t`u bëjnë mirë.

Edhe Muhamedi ﷺ në disa hadithe na ka porositur në këtë. Imam Muslimi ne koleksionin e tij shënon se Muhamedi  ﷺ ka thënë: “Unë u kam lënë juve dy gjëra të vlefshme, librin e Allahut (Kuranin) dhe Ehli Bejtin, u përkujtoj Allahun (të keni mirësjellje) me Ehli Bejtin tim.”

Ndërsa Imam Buhariu shënon se Ebu Bekri ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit gjendet shpirti im, për mua më e dashur është që të mbaj lidhjet me familjen e Muhamedit  ﷺ se sa me familjen time.”

Kurse, dijetarët tanë të nderuar, kur flasin për këtë temë, tregojnë se respektimi i Ehli Bejtit të Muhamedit ﷺ dhe madhërimi i tyre (duke mos kaluar në ekstremizëm) është prej akides sonë. Ibën Tejmije në librin “Akidetu uasitije”, kur shtjellon qëndrimin e Ehli Sunetit për Ehlu Bejtin thotë: “Dhe ata (Ehlu Suneti) e duan Ehlu Bejtin e të Dërguarit  ﷺ,  u afrohen atyre dhe e ruajnë vasietin (porosinë) e Muhamedit  ﷺ për ta…”

Ehlu Suneti beson se më të mirët nga Ehlu Bejti janë: imam Aliu, Fatimja (e bija e Profetit  ﷺ dhe dy nipat e Muhamedit  ﷺ Hasani dhe Husejni, pastaj e tërë familja e tij që e kanë besuar në Muhamedin  ﷺ  për të dërguar.

Por, gjithashtu, ata nuk kalojnë në ekstremizëm ashtu si kanë kaluar disa grupacione islame ndaj Ehlu Bejtit. Shitët të cilët mundohen të identifikohen si ruajtës të të drejtave të Ehlu Bejtit nga injoranca që kishin, kanë kaluar në ekstremizëm, kështu që ata mendojnë se nga familja e Muhamedit  ﷺ ekzistojnë “imam të pagabuar” të cilët kanë arritur gradën e shenjtërisë dhe se ata janë veçuar me njohuri drejtpërdrejtë nga Allahu i Lartësuar, e kanë ditur të ardhmen dhe besime të tjera, ku u përshkruajnë atyre cilësi me të cilat veçohet vetëm Allahu i Lartësuar. Muhamedi  ﷺ nuk ishte veçuar me tipare që ata ua përshkruajnë imamëve të tyre.

Allahu i Lartësuar e urdhëron të dërguarin e Tij t’u tregojë njerëzve se ai nuk ishte vetëm se një njeri i thjeshtë i cili ka përcjellë shpalljen. Ai thotë: “Thuaj (o Muhamed)! Unë nuk kam në dorë që t’ju largojë dëmin, as t’ju sjell dobi!” (Xhin, 21). Pastaj thotë: “Thuaj (o Muhamed)! Unë nuk mund t’i sjellë vetes sime as dëm as dobi, pos atë që dëshiron Allahu. (Junus, 49).

Prandaj Ehlu Suneti në çështjen e Ehlu Bejtit kanë qëndrim mesatar, në krahasim me ata që kanë tejkaluar kufirin (shitët) duke i madhëruar ata tej mase, sa i përshkruan atyre veti dhe cilësi me të cilat veçohet vetëm Allahu i Lartësuar. Gjithashtu, ata janë edhe kundër atyre që i kanë sharë dhe fyer familjen e Muhamedit ﷺ e këta njihen në historinë islame si neuasib. Allahu e di më së miri.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

Burimi: Klubi Kulturor, Islami Feja e Vertete