Pyetje: Si bëhet shpagimi i personave që për shkak të sëmundjeve nuk kanë mundësi të agjërojnë? 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave. 
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij. 

Ata të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë janë:
1️⃣ Të moshuarit, 
2️⃣ Të sëmurët me sëmundje që nuk shpresohet për ta shërimi, 
3️⃣ Gratë shtatzëna dhe 
4️⃣ Gjidhënëset, 
u lejohet që të japin si shpagim për mosagjërimin e tyre, ushqim duke ushqyer për çdo ditë nga një të varfër. 

 Argument për këtë është Fjala e Allahut të Lartësuar:
{وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ} 
“E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri”. [El-Bekare: 184] 

Mënyra e ushqimit të të varfërve: 

1- Koha e dhënies së shpagimit: 
– Nuk lejohet dhënia përpara Ramazanit. 
– Lejohet dhënia në fillim, në mes ose në fund të muajit. 

2- Lloji i ushqimit:
Ushqimi i pagatuar, që ofrohet në formën e ushqimeve të papërpunuara ose të papërgatitura, si për shembull orizi, mielli, makarona, etj., 1.5 kg për çdo ditë të paagjëruar, nga ushqimet bazë të vendit ku ndodhet personi. 
Ushqimi i gatuar është një vakt i përgatitur dhe i gatshëm për konsum, i cili mund të jetë një gjellë e plotë që ngop.
Të dyja opsionet janë të pranueshme për të dhënë si shpagim për mosagjërim, sipas mundësive të individit.

3- Si llogaritet shpagimi për ata që jetojnë jashtë?

– Shuma që duhet të paguhet për shpagim për ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë, dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, mund të ndryshojë nga vendi në vend, sepse varet nga çmimi i ushqimit bazë. Përcaktimi i saktë i shumës bëhet në varësi të vlerës së ushqimit që konsiderohet e nevojshme për të mbajtur një person të varfër gjatë një dite (nëse do të jepet ushqim i gatuar).
– Nëse duan të japin ushqim të gatuar, duhet të llogarisin koston e një vakti bazë në atë vend që do të jepet ky ushqim dhe ta shumëzojnë me numrin e ditëve të paagjëruara. 
• Shembull: 
Nëse një vakt në vendin ku do të jepet ushqimi kushton mesatarisht 5 euro, dhe personi nuk ka agjëruar për 30 ditë, atëherë llogaritja do të ishte:  5€ x 30 = 150€.
– Nëse japin ushqim të pagatuar, mund të merren vlerat mesatare të çmimeve  të ushqimit në vend dhe të shumëzohet me numrin e ditëve të humbura të agjërimit. Kështu në këtë rast duhet të llogarisin 1.5 kg nga ushqimet bazë të vendit ku do ti japin këto ushqime (p.sh., nëse është oriz, miell, makarona etj; dhe ti shumëzojnë me ditët e paagjëruara (1.5 kg x 30 ditë = 45 kg). 

4- Kujt t’i jepet shpagimi?
– Mund t’i jepet një personi të varfër çdo ditë ose mund të shpërndahet për disa të varfër. 
– Lejohet edhe organizimi i një iftari për 30 persona për të mbuluar shpagimin e një muaji të plotë. 
Për këtë kemi dëshmi nga sahabët:
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të), kur arriti në moshë të thyer dhe nuk mund të agjëronte, ushqente 30 të varfër në 10-ditëshin e fundit të Ramazanit.

 Allahu e di më së miri! 

Përgjigje nga Adelina Kuçana.