Si do të përfundojnë jexhuxhët dhe mexhuxhët?

Përgjigja: Prej shenjave të kijametit është edhe dalja e jexhuxhëve dhe mexhuxhëve. Kohën e daljes së tyre e di vetëm Allahu i Madhëruar. I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, na ka treguar për mënyrën e daljes së tyre. Ata përpiqen që çdo ditë ta shkatërrojnë pendën, duke e gërryer atë derisa i shohin rrezet e diellit. U thotë prijësi i tyre: “Kthehuni, ngase do ta gërryejmë nesër.” Kthehen, dhe në ditën tjetër e shohin se penda është kthyer ashtu siç ishte. Kështu do të vazhdojnë derisa të vijë koha të cilën ua ka caktuar Allahu. Ata do të shkojnë tek penda, do ta gërryejnë atë derisa i shohin rrezet e diellit. U thotë prijësi i tyre: “Kthehuni, se do ta gërryejmë nesër, in shaa Allah.” Si shkak i daljes së tyre është fjala in shaa Allah.

Pasi dalin, ata nuk lënë asgjë pa ngrënë nga të mbjellurat, bimët, frutat, kafshët, bagëtitë. Bile e pinë tërë ujin, duke mos u lënë fare njerëzve. Njerëzit janë në brengë dhe mërzi, që nuk e di askush përpos Allahut. Në këtë kohë, Isa, alejhi selam, është gjallë në tokë, e ka mbytur Dexhallin dhe të gjithë njerëzit janë bërë besimtarë. Allahu e urdhëron Isën, alejhi selam, që t’i marrë besimtarët dhe të izolohen në kodrën Tur, në mënyrë që jexhuxhët dhe mexhuxhët të mos i arrijnë ata. Isa, alejhi selam, dhe besimtarët arrijnë në kodrën Tur, i luten Allahut sinqerisht dhe kërkojnë strehim tek Ai që ta shpëtojë tokën prej jexhuxhëve dhe mexhuxhëve.

Gjatë kësaj kohe, jexhuxhët dhe mexhuxhët shkatërrojnë në tokë çdo mirësi dhe begati. Kur jexhuxhët dhe mexhuxhët shikojnë rreth tyre, e shohin se s’ka mbetur askush, dhe thonë: “I mundëm banorët e tokës dhe na kanë mbetur banorët e qiellit.” Secili prej tyre e merr shtizën e tij dhe gjuan në drejtim të qiellit. Ato u kthehen me gjak, mirëpo nuk e kanë mbytur askënd prej banorëve të qiellit. Duke rënë në këtë sprovë, ata thonë: “I mundëm banorët e qiellit.” Përderisa këta janë në këtë gjendje të shkatërrimit dhe mashtrimit, Allahu ua dërgon disa krimba dhe i mbysin të gjithë. Allahu ka mundësi që t’i fundosë në tokë, t’i dënojë me zjarr ose ta dërgojë Xhibrilin, alejhi selam, që t’i shkatërrojë ata. Mirëpo, Allahu u dërgon disa krimba të vegjël, si nënçmim për ta.

Në këtë kohë, Isa, alejhi selam, thotë: “E dua një burrë që e llogarit veten e tij për në rrugën e Allahut, që të dalë, të shikojë dhe të vijë të na tregojë se çka ka ndodhur me jexhuxhët dhe mexhuxhët.” Del një burrë besimtar për të shikuar, sheh se të gjithë kanë vdekur dhe se toka ka marrë një erë shumë të keqe nga kufomat e tyre. Kthehet ky besimtar dhe e përgëzon Isën, alejhi selam, dhe vëllezërit e tij besimtarë. Ata bien në sexhde si shenjë falënderimi për Allahun. Pastaj Isa, alejhi selam, lutet që Allahu ta pastrojë tokën nga kufomat e tyre. Allahu i dërgon disa zogj nga qielli që i marrin trupat e tyre. Pastaj Allahu lëshon shi nga qielli, e pastron tokën me të dhe kthehet toka në formë të bukur. Më pas, Isa, alejhi selam, me besimtarët bëjnë jetë të mirë dhe të qetë. Allahu e urdhëron tokën që t’i nxjerrë bereqetet e saj dhe qiellin poashtu. Përhapet siguria në tokë, derisa edhe ujku luan me delet dhe nuk i ha, sikurse që fëmijët luajnë me gjarpërinj dhe nuk i dëmtojnë ata.


Marrë nga libri “Pyetje dhe përgjigje në lëminë e akides”
Autor: Mahmud el-Misri
Përktheu: Hoxhë Lulzim Kabashi