BETIMI PËR BESËN
Na bie shpesh rasti të lexojmë dhe të dëgjojmë shprehje të tilla si: Jo besa! Po, besa! Besa, ka qenë kështu! Besa nuk e kam bërë dhe besa do ta bëj!
Në shprehje të tilla, fjala besë shpreh një betim ose përbetim dhe betimi për dikë ose diçka tjetër pëveç Allahut është i ndaluar. Në këto fjali, fjala besë sigurisht shpreh një betim edhe pse përdoret pa parafjalën betuese “për”; ngase qëllimi i folësit është i tillë dhe parafjala “për” është e nënkuptuar.
Përdorime të tilla vërehen kryesisht në të folurën e Veriut, në masat e gjera të shoqërisë por edhe në ligjërimin e hoxhallarëve të ndryshëm. Herë-herë janë shkarje goje e në shumë raste me qëllim.
Betimi për besën hyn te betimet e ndaluara në islam dhe nuk bën përjashtim nga rregulla e përgjithshme e ndalimit të betimit për diçka tjetër përveç Allahut.
Dijetarët kanë folur hollësisht për gjykimet e ndryshme në lidhje me këto betime. Ato, herë janë kufër përjashtues nga islami dhe herë janë haram i ndaluar. E pakta e të paktës që fukahatë kanë thënë për forma të tilla betimi është vlerësimi i tyre të urryera, pra mekruh.
Transmeton Ibn Umeri se i dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem e gjeti Umer ibn Hatabin gjatë një udhëtimi të betohej për babain e tij dhe i tha: “Allahu ju ndalon të betoheni për baballarët tuaj. Kush dëshiron të betohet, le të betohet për Allahun ose të heshtë”.
Në komentimin e këtij hadithi në librin “Et temhid”, imam Ibn Abdilberri thotë: “Betimi për krijesat ka të njëjtin gjykim si betimi për baballarët. Asnjë betim i tillë nuk lejohet”.
Më tej thotë: “Dijetarët janë pajtuar që betimi për diçka tjetër përveç Allahut është i urryer dhe i ndaluar. Askujt nuk i lejohet të betohet në një mënyrë të tillë”. Et temhid, vëll. v, f. 293, shtëpia botuese Daru ihjaiturath, me shqyrtim të shejh Abdurrezak Mehdiut.
E Allahu është më i ditur.
Nga Hoxhë Florian Leli





