Pyetja:

Nëse hasim në dialog me vëllezërit tanë të cilët quajnë hoxhallarët tanë bidatçinj dhe të prishur, si duhet të sillemi me ta?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.

Besimtari duhet të jetë i kujdesshëm që të veprojë sa më tepër vepra të mira, të cilat i bëjnë dobi atij në këtë botë dhe në botën tjetër dhe të largohet nga ato gjëra që e dëmtojnë atë dhe në të cilat nuk ka dobi.

S’duhet që të futeni në dialog me ata të cilët flasin për nxënësit e dijes (hoxhallarët) dhe duhet të largoheni dhe të mos rrini me ta dhe të lihen ata të plasin në mllefin e tyre, kjo është këshilla dhe qëndrimi i të gjithë dijetarëve këtu në Saudi dhe në vende të tjera dhe kjo është mënyra më e mirë në qëndrimin ndaj tyre.

Të flasësh për dijetarët dhe nxënësit e dijes është rrezik i madh, sepse dijetarët janë trashëgues të Profetëve dhe ata janë pishtarë ndriçues për umetin. Kanë thënë dijetarët: “Mishërat e dijetarëve janë të helmosur.” Dhe të kenë frikë ata që flasin për dijetarët se kanë për t’u helmosur zemrat e tyre.

Ne e dimë shumë mirë që është mëkat që të flasim për njerëzit në përgjithësi dhe ky mëkat është më i madh nëse flet për dijetarët. Nuk ka dyshim që ky është përgojim dhe përgojimi është prej gjynaheve të mëdha. Qafirat dhe ata që përhapin shirkun dhe injorancën në vendet tona kanë shpëtuar prej gjuhëve të këtyre dhe për fat të keq nuk kanë shpëtuar vëllezërit tanë dhe nxënësit e dijes.

Më ka treguar një nxënës i shejh Ibn Uthejminit se shejhu kur ka qenë gjallë dihet që ka pasur një banesë në Kasim, ku strehonte studentët që shkonin të merrnin dije tek ai, dëgjoi se dikush nga studentët fliste për dijetarët duke i cilësuar si bidatçinj e shprehje të tjera që i përdorin ata, dhe i pyeti studentët se cilët janë ata që flasin për dijetarët dhe njëri nga studentët i tregoi se ishin dy nga studentët që banonin aty dhe shejhu i përjashtoi ata nga banesa.

Unë këshilloj që të merremi me thirrjen e njerëzve në Islam, t’u mësojmë atyre Islamin e pastër bazuar në Kuran dhe në Sunet, të luftojmë shirkun, bidatin, injorancën etj., dhe ka shumë për t’u bërë në këtë fushë. Të tjerët punojnë dhe ne rrimë dhe merremi me njëri- tjetrin!?

Gjithashtu duhet që të përpiqemi që t’i bashkojmë muslimanët dhe të mbyllim çdo rrugë që çon në përçarje, sepse robi për të gjitha këto do të japë llogari në Ditën e Gjykimit.

Allahu e di më së miri.

Hariz Allkoçi