A është magjia (sihri) e vërtetë apo thjesht një iluzion?

Magjia (sihri) është një realitet i vërtetë. Ajo mund të shkaktojë ndarjen e bashkëshortëve – me lejen e Allahut – ashtu siç ka thënë i Lartësuari: «Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët.» [El-Bekare: 102]

Ajo ka ndikim edhe në shkaktimin e dhimbjeve në trup dhe në dëmtimin e tij nëpërmjet sëmundjes ose vdekjes. Gjithashtu, ajo mund të ndikojë në gjendjen psikologjike të personit ndaj të cilit është bërë magji. E gjithë kjo ndodh me lejen e Allahut.

El-Karafiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: «Magjia është diçka reale. Ai që është prekur nga magjia mund të vdesë ose mund t’i ndryshojë natyra dhe zakonet e tij, edhe nëse magjistari nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të.» (1)

En-Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: «Mendimi i saktë është se ajo – pra magjia – është diçka reale, siç e kemi përmendur më parë. Këtë mendim e kanë pohuar prerazi shumica e dijetarëve dhe këtë mendim e mbajnë dijetarët në përgjithësi. Për këtë dëshmojnë Kurani dhe Suneti i saktë e i njohur.» (2)

Ibnul-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: «Fjala e Allahut: “dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)” [El-Felek: 4], si dhe hadithi i përmendur i Aishes (3), dëshmojnë se magjia ka ndikim dhe se është diçka reale.»

«Magjia: rreziku i saj, mbrojtja prej saj dhe mënyra e zgjidhjes së saj».

Dr. Abdulmuhsin bin Muhamed el-Kasim
Imam dhe hatib i Xhamisë Profetike në Medine.

Përktheu: Unejs Sheme

(1) El-Furuk (4/149).

(2) Raudatut-Talibin (9/346).

(3) Buhariu, në Librin e Mjekësisë, kapitulli mbi magjinë, nr. (5766), dhe Muslimi, në Librin e Selamit, kapitulli mbi magjinë, nr. (2189). Teksti i hadithit: «Një çifut nga çifutët e fisit Benu Zurajk, i quajtur Lebid bin el-Asam, i bëri magji të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ajo arriti deri aty saqë i përfytyrohej se bënte diçka, të cilën në realitet nuk e bënte. Vazhdoi kështu derisa, një ditë, (ose një natë) teksa ishte tek unë, e luti Allahun gjatë, pastaj më tha: “Oj Aishe! A e di se Allahu më njoftoi për atë që e kam lutur?” I thashë: “Ç’është ajo, o i Dërguari i Allahut?” Profeti ﷺ tha: “Erdhën dy burra dhe njëri u ul te koka ime, kurse tjetri te këmbët e mia. Ai që ishte pranë kokës sime i tha atij që ishte pranë këmbëve të mia – ose ai që ishte pranë këmbëve të mia i tha atij që ishte pranë kokës sime –:
– Çfarë sëmundjeje ka ky burrë?
– I është bërë magji, – tha tjetri.
– Kush i ka bërë magji? – pyeti i pari.
– Lebid bin Asami, çifut i fisit Benu Zurajk.
– Në çfarë?
– Në krehër me flokë dhe në thekun e hurmës.
– Ku janë të vendosura këto?
– Në Pusin Dhervan, – tha tjetri.” Kështu, Profeti ﷺ shkoi te pusi në fjalë me disa sahabë dhe e shikoi atë. Pranë pusit ishte një trung hurme. Pastaj u kthye tek Aishja dhe i tha: “Betohem në Allahun se uji i atij pusi sikur kishte marrë ngjyrë të kuqërremtë, kurse frutat e asaj hurme dukeshin si koka shejtanësh.” Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! A e nxore sihrin prej aty?” Ai më tha: “Jo, sepse Allahu më begatoi me shërim, andaj u frikova se një gjë e tillë mund t’ua kujtojë njerëzve të keqen.” Më pas, Profeti ﷺ urdhëroi që pusi të mbulohet tërësisht me dhé.”

https://t.me/rukjeshqip