Pyetja: Një burrë i prin për imam dy fëmijëve e më shumë. Fëmijët duhet të qëndrojnë prapa imamit, apo në të djathtë të tij?

Përgjigje: Gjykimi fetar është se imami duhet t’i vendosë fëmijët prapa vetes, si të rriturit, nëse fëmijët kanë mbushur shtatë vjeç, ose edhe më shumë.

Në rastet kur do të falë namaz një fëmijë dhe një i rritur, përsëri imami i vendos të dy prapa vetes, pasi edhe i Dërguari i Allahut (pqmt), kur i ndodhi të falë namaz me Enesin e me jetimin, i vendosi të dy prapa vetes. Kjo ka ndodhur kur i Dërguari i Allahut shkoi për vizitë tek gjyshja e Enesit. Gjithashtu i Dërguari i Allahut (pqmt) ka vendosur në saf prapa vetes, kur ka falur namaz vetëm me dy ensarët, me Xhabirin e Xheb’barin.

Në rast se është vetëm një person, qoftë burrë qoftë fëmijë, imami e vendos atë në të djathtë të tij, ashtu siç veproi edhe i Dërguari i Allahut (pqmt) kur fali namazin e natës me Ibni Abbasin, i cili qëndroi në të majtë të tij. Atëherë i Dërguari i Allahut (pqmt) e rrotulloi dhe e vendosi në të djathtën e tij. Kështu ka ndodhur edhe me Enesin – pastë kënaqësinë e Allahut – në disa namaze nafile që ka falur me të Dërguarin e Allahut (pqmt) dhe ai e ka vënë në të djathtën e tij.

Në rast se është një grua ose shumë gra, ato vendosen prapa burrave dhe nuk lejohet që gratë të rreshtohen në saf, as përkrah imamit e as përkrah burrave, pasi edhe i Dërguari i Allahut (pqmt) kur ka falur namaz me Enesin e jetimin, Um Sulejmin, që është nëna e Enesit, e vendosi prapa këtyre të dyve.

/Shejhu Bin Bazi/