Pyetje: A lejohet lutja e lirë, pra ajo lutje që nuk bëhet tekstualisht siç është në Kuran dhe Sunet/Hadith; dhe nëse po a lejohet që kjo lutje e lirë të bëhet brenda namazit apo ajo duhet të bëhet vetëm jashtë namazit?
Përgjigjja: “Shumë dijetarë të fikhut prej medh’hebit maliki dhe shafi’i, kanë sqaruar se lutja në sexhde dhe para se të jepet selam është e sojit të lutjes së lirë dhe nuk kushtëzohet që të jetë transmetuar tekstualisht në Kuran apo Sunet, porse namazfalësit i lejohet të lutet për nevojat e tij jetike dhe fetare, të çdo trajte qofshin lutjet e tij, si dhe i lejohet ta lusë Allahun e Madhëruar për çdo gjë që dëshiron prej të mirave të kësaj jete dhe të jetës së përtejme, edhe nëse lutja që thuhet prej tij s’është e transmetuar nga Kurani apo Suneti.
Si argument për lutjen e lirë është hadithi profetik:
“Sa i përket sexhdes, përsiatuni në lutje, pasi është e denjë [e merituar] që të merrni përgjigje!” [“Sahihu Muslim” (479)]; pra Profeti (Paqja qoftë mbi të!) e ka lënë të lirë përsiatjen lidhur me përzgjedhjen e lutjes dhe nuk e kushtëzon që ajo të jetë transmetim tekstual prej Kuranit dhe Sunetit.
Rrjedhimisht, përderisa e tillë gjë lejohet në namaz, për më tepër ajo lejohet edhe jashtë namazit.
Gjithsesi nënkuptohet fakti se lutja tekstuale prej Kuranit dhe Sunetit, ka vlerat e saj të patjetërsueshme dhe është favorite të praktikohet nga muslimani, por siç u cek më herët lejohet që muslimani të bëjë edhe lutje të lirë, me kushtin që lutja e tij të jetë në përputhje të plotë me standardet e vendosura prej Kuranit dhe Sunetit
Allahu e di më së miri!
/Jeta e vërtetë/




