Pyetja:

Bashkëshortja ime ka ditë të pashlyera nga Ramazani i mëparshëm, por ajo ka harruar se sa ditë agjërim i kanë mbetur fiks; si duhet të veprojë në këtë rast?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Personit që e ka prishur agjërimin në disa prej ditëve të Ramazanit për arsye se ka qenë udhëtar, ose i sëmurë, ose (për gratë ka qenë) me të përmuajshmet apo në lehoni, i del për detyrë që t’i agjërojë ato kaza (t’i shlyej më pas deri para hyrjes së Ramazanit të ardhshëm).

Si rregull personi duhet të jetë i sigurt lidhur me ditët që ka borxh për të shlyer nga agjërimi i obliguar, kurse më konkretisht, lidhur me rastin kur personi dyshon mbi numrin e ditëve që i kanë mbetur për të shlyer agjërimin e obliguar, juristët muslimanë janë shprehur si vijon:

Rasti i parë: Personi që dyshon rreth një numri, bazohet në më të voglin

Këtij rasti i përket për shembull një person që dyshon a i kanë mbetur për të shlyer nga agjërimi i obliguar tre apo katër ditë. Bazuar në rregullin juridik “Parimisht personi është i pafajshëm”; pra parimisht, personi nuk ngarkohet me përgjegjësi juridike, vetëm se për një çështje juridike të vërtetuar, personi në fjalë e ka për obligim që të agjërojë vetëm tre ditë, pasi në këtë rast: (së pari) origjina është mosagjërimi (pra llogaria fillon nga numri zero ditë) dhe (së dyti) përgjegjësia e agjërimit (në këtë rast) shlyhet duke u bazuar në të vërtetuarën, gjë që më konkretisht përmbushet duke u bazuar në numrin më të vogël (tre ditë), pasi numri më i vogël është i sigurt, kurse më i madhi është i dyshimtë.

Gjithsesi, më parësore është që në këtë rast të agjërohet numri më i madh i dyshuar, për të qenë më i rezervuar, që kësisoj përgjegjësia të shlyhet duke u bazuar në të sigurtën.

Rasti i dytë: Personi që nuk mban mend, bazohet në supozimin më të fuqishëm

Nëse personi nuk mban mend asgjë lidhur me faktin se sa është numri i ditëve që i ka borxh për t’i shlyer nga agjërimi i detyrueshëm, ose nuk mban mend a i ka agjëruar apo jo këto ditë, në këtë rast vihet në punë mendimi apo supozimi më i fuqishëm shlyes i përgjegjësisë, bazuar në rregullin juridik islam ku vjen se “në pamundësi të bazimit tek mendimi i sigurtë, kalohet tek bazimi në mendimin / supozimin më të fuqishëm”.

– Ndërkaq, juristët muslimanë lidhur me personin që e ka për zakon (vesves) të dyshuarin gjatë kryerjes së adhurimeve (namazit, abdesit, agjërimit etj.), orientojnë që kur i tillë personi dyshon nëse i ka shlyer ose jo ditë të caktuara nga agjërimi i obligueshëm, ai lipset të mos i japë vëmendje këtij dyshimi (pra nuk e ka obligim të agjërojë).

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi