Pyetje: Për sa ditë lejohet të bëhet kurbani i Bajramit?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen dhe shokët e tij.
Koha e therjes së kurbanit fillon pas namazit të Kurban Bajramit.
Xhundub ibn Sufjani tregon: “Disa njerëz i kishin therur kurbanet para namazit. Kur e mbaruam namazin, Profeti ﷺ e pa këtë gjë dhe tha: “Kush ka therur para namazit, le të therë një tjetër; e kush nuk e ka therur, le ta therë me emrin e Allahut.”” Buhariu, nr. 985; Muslimi, nr. 1960.
Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë: “Kush e ka therur kurbanin para namazit, ai është mish për familjen e tij dhe jo kurban.” Buhariu, nr. 968; Muslimi, nr. 1961.
Shkollat juridike dhe dijetarët bashkëkohorë kanë mendime të ndryshme në përcaktimin e ditëve të kurbanit. Shkurtimisht, këto mendime janë si më poshtë:
Mendimi i parë: Ditët e therjes janë tri ditë: dita e Bajramit dhe dy ditët pas saj. Ky është mendimi i shkollave juridike hanefi, maliki dhe hanbeli.
Mendimi i dytë: Ditët e therjes janë katër ditë: dita e Bajramit dhe tri ditë pas saj, deri në perëndim të diellit. Ky është mendimi i shkollës juridike shafi‘i dhe i disa dijetarëve të vjetër e bashkëkohorë.
Mendojmë se më afër së saktës është mendimi i dytë, bazuar në argumentet e mëposhtme:
1. Fjala e Profetit : “Të gjitha ditët e teshrikut janë ditë therjeje.” (Ahmedi nr. 16751, Ibn Hibani nr. 3854)
2. Ky është mendimi i disa sahabëve dhe dijetarëve të hershëm.
3. Analogjia me tekbiret e Bajramit, të cilat bëhen deri në ditën e katërt të tij.
4. Ky mendim është edhe më i lehtë për njerëzit, sepse ua zgjeron atyre kohën e kurbanit, përderisa nuk ka argument kufizues.
Gjithsesi, kurbani ditën e parë është më i mirë se ditën e dytë; ditën e dytë është më i mirë se ditën e tretë; dhe ditën e tretë është më i mirë se ditën e katërt, sepse myslimani është i orientuar të nxitojë në kryerjen e adhurimeve.
Nëse kalojnë këto ditë të kurbanit, ai që kishte vendosur ta therte atë dhe e la pa therur, duhet ta kryejë gjithsesi, sepse nuk mund ta lërë pa kryer këtë adhurim të madh. Por, në këtë rast, ky veprim quhet i kryer jo në kohën e vet, pra kaza. El-Mugni, 13/387.
Lusim Allahun të na ndihmojë në kryerjen e adhurimeve në mënyrën më të mirë.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSH.
×