Pyetja:
Si e sheh Islami shkencën?
***
Përgjigjja:
Kur bëhet fjalë për dije dhe shkencë menjëherë mendja na shkon tek Kurani Famëlartë, pikërisht në fjalën dhe versetin e parë kuranor zbritur Muhamedit ﷺ ku Allahu i Gjithëdijshëm thotë: “Lexo në emër të Zotit tënd i cili krijoi.” (Alak: 1)
Andaj dhe umeti islam është quajtur umeti i leximit dhe i dijes. Fjala e parë hyjnore e zbritur në Kuran është pikërisht folja urdhërore “lexo”. Vetëm për meditimin rreth universit në tërësi, trupave qiellorë, rendin preçiz të krijimit të tyre dhe në përbërjen e trupit të njeriut si një qenie komplekse, fizike e biologjike Kurani flet në më shumë se njëmijë versete të tij. Kurani po ashtu nxit vazhdimisht në gjetjen dhe zbulimin e të vërtetave shkencore. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvetet e tyre, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?! (Fussilet: 53)
Të ndikuar drejt përdrejt nga Kurani Famëlartë, muslimanët, kudo që shkelën, jo vetëm që themeluan e ngritën qytete të reja të shumta për atë kohë, por ndërtuan spitale, jetimore, qëndra rehabilitimi, institucione zyrtare shtetërore e private, gjykata, pallate, kopshte, punishte, fabrika, tregje, qendra biznesi, shkolla, institute, biblioteka, madje dhe universitete, ndërkohë që Evropa ishte në shekujt e saj të errët, e zhytur thellë në injorancë. Muslimanët nuk u mjaftuan me kaq, por, me zbulimet dhe shpikjet e reja në medicinë, matamatikë, algjebër, gjeometri, fizikë, kimi, astronomi etj, mahnitën atëkohë të gjithë botën, duke lënë prapa qytetërimet e mëparshme.Këtu do të përmendim vetëm dy prej tyre, për të cilat bota e sotme moderne duhet të falënderojë arabët muslimanë.
Për të parën herë, janë muslimanët ata që zbuluan dhe vunë në përdorim “zeron” në numërim dhe llogaritje. Muhammed ibn Musa El-Huvarizmi ishte llogaritësi i parë nëpërmjet zeros gjatë viteve 813-825, i cili është dhe babai i algjebrës. Përdorimi i zeros u transferua në Evropë nga Huvarizmi nëpërmjet muslimanëve të Spanjës (Andaluzisë). Vetë fjala zero rrjedh nga gjuha arabe “Sifër”, që do të thotë: diçka e zbrazët (boshe). Evropianët e morën këtë nga arabët e Spanjës dhe e përshtatën sipas gjuhëve të tyre. Në latinisht ajo shqiptohej “Zefirom”, ndërsa italianët e shkurtuan dhe thanë “ziro”. Në gjermanisht shqiptohet “Ziffer”, ndërsa në frëngjisht, anglisht dhe shqip, shqiptohet “zero”. Madje dhe numrat që përdorin sot popujt e Evropës dhe shumica e popujve në botë, janë numra arabë, fakt shumë i njohur ky nga vetë studiuesit dhe shkencëtarët perëndimorë. Ndërsa numrat që përdorin sot shumica vendeve arabe, janë numra indianë. Ku do të ishte teknologjia e sotme dhe arritjet e mëdha shkencore pa përdorimin e “zeros”!?
Përdorimin e letrës së butë, për të parën herë u prodhua dhe u përdor me shumicë nga muslimanët. Arabët muslimanë i përcollën njohuritë e thjeshta për prodhimin e letrës nga kinezët në Samarkandë. Ata e përmirësuan shumë prodhimin e saj, derisa u paraqit letra e butë, e cila është lloji më cilësor i letrës dhe materiali kryesor që përdorej për prodhimin e saj ishte liri dhe pambuku. Fabrikat e para të letrës që prodhonin në sasi të mëdha, u shfaqën në Bagdad në kohën e Halifit madhështor Harun Er-Reshidit, nga fundi viteve 700. Më pas, këto fabrika u shfaqën në Damask, Palestinë, Egjipt e deri në Marok. Ndërsa evropianët e morën atë nga muslimanët e Spanjës (Andaluzisë) dhe Sicilisë. Fabrika e parë e letrës në Evropë është ndërtuar në Itali në vitin 1340 dhe më pas në Gjermani në vitin 1389.
Prodhimi i letrës ishte një fitore e re në kohën e kulturës dhe shkencave. Ajo ishte themeli për paraqitjen e librave, gjegjësisht shtypit, e po të mos ishte ajo, nuk do të ekzistonin bibliotekat, e as që do të mundeshin dijetarët e ndonjë gjenerate të dinin diçka në lidhje me shpikjet e dijetarëve të gjeneratave të mëparshme. (Prof.Hani Mubarek “Roli i civilizmit arabo-islam në Renesansën Evropiane” 40-42.
Pikërisht për këto zbulime kaq të rëndësishme për njerëzimin, Robert Priffault në librin e tij “Krijimi i njerëzimit” thotë: “Borxhi që shkenca jonë u detyrohet arabëve nuk konsiston në zbulime të mëdha ose teori revolucionare. Shkenca i detyrohet shumë më shumë kulturës arabe; i ka borxh ekzistencën.” (“Muhammedi ky Profet” nga prof. K.S.Ramakrisho Rao, mars 1978)
Hoxhë Mustafa Tërniqi