Berra ibën Azibi, radijAllahu anhu, rrëfen: Kur Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, shtrihej në shtrat, doren e djathtë e vinte nën faqen e djathtë dhe lexonte: “O Zot, më ruaj nga denimi ditën kur do t’i ngjallësh robërit e Tu!”. (Transmeton Tirmidhiu).

Hudhejfe, radijAllahu anhu, tregon: I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur shtrihej në shtrat, thoshte “O Allah, me emrin Tënd vdes dhe ngjallem”. Kurse kur zgjohej, thoshte: “Falënderimi i takon Allahut, që na ngjalli pasi na mori jetën dhe para Tij do të ringjallemi”. (Transmetojnë: Tirmidhiu, Buhariu, Ebu Davudi dhe Ibën Maxheh).

Aishja, radijAllahu anha, tregon: Çdo natë, kur shtrihej, i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i bashkonte duart dhe pastaj në duar recitonte: “kul huvAllahu ehad-in, kul eudhu bi rabbil- felek-un dhe kul eudhu bi rabbin-nas-in”. Pastaj me duar fërkonte tërë trupin, fillonte me kokën, fytyrën dhe pjesën e përparme të trupit. Kështu vepronte tri herë”.
(Transmetojnë: Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh dhe Ebu Davudi).

Enes ibën Maliku, radijAllahu anhu, rrëfen: Kur shtrihej në shtrat i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thoshte: “Falënderimi i takon Allahut, që na ushqeu dhe na dha të pijmë,na furnizoi dhe na dha strehim! Sa njerëz ka pa mbrojtje dhe strehim?!”
(Transmetojnë: Muslimi, Tirmidhiu, Ebu Davudi dhe Nesaiu).

Ebu Katadeja, radijAllahu anhu, tregon: “Kur i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, flinte në fillim të natës, shtrihej në anën e djathtë të trupit, përderisa kur dëshironte të flinte para mëngjesit, vendoste shuplakën e dorës së djathtë nën faqen e Tij”. (Transmeton Muslimi).

 

Marr nga libri “Virtytet e te Derguarit(sal-lallahu alejhi ie selam)”