Pyetja:

Jam një vajzë e udhëzuar, fal namaz dhe mundohem që të veprojë sipas Kuranit dhe Sunetit vazhdimisht, mirëpo një kohë të gjatë më vijnë në mendje disa mendime të pakëndshme, që nganjëherë më duket vetja si një pabesimtare dhe ndihem shumë keq në atë gjendje. Ju lus të më këshilloni si të veprojë.

***

Përgjigjja:

Në radhë të parë lus Allahun të na forcojë të gjithëve besimin po kështu edhe juve në veçanti që bëni këtë pyetje. Lutja është arma më e fortë e besimtarit, kur ajo bëhet e sinqertë dhe me këmbëngulje, si ai njeriu që kërkon të shpëtojë nga mbytja, padyshim që Allahu i përgjigjet asaj dhe ia largon besimtarit hallin që ka, ndaj lutju Zotit të ta heqë këtë vesves.Një nga lutjet më të mira për këtë është edhe këndimi i sures Nas, apo edhe të kërkoje mbrojtje Allahut dhe të thotë; i kam besuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Së dyti,shqetësimi që ngre është një fenomen i përhapur tek shume besimtare, madje ai shfaqet shpesh tek ata,sidomos mbasi ka kaluar një periudhë e shkurtër pasi ai ka nisur praktikën e një besimtari. Ky fenomen njihet me emrin vesevese dhe nuk është gjë tjetër vetëm se iluzione të kota dhe ngacmime mendimesh të pabaza që shqetësojnë besimtarin, kryesisht vesveset vijnë nga shejtani, por nëse ai gjen vend dhe rrugë tek njeriu,natyrisht dhe rruga që gjën më së shumti ai në këtë drejtim është hapësira që i krijon vetë besimtari pa e kuptuar këtyre ngacmimeve, ndaj ilaçi tjetër më i mirë është që njeriu të mos e vrasë mendjen ndaj këtyre ngacmimeve sepse ato nuk i bëjnë dëm aspak atij.Në një hadith të Profetit ﷺ tregohet se disa shokë të tij iu ankuan atij dhe i thanë: “Ne ndjejmë në vetet tona diçka që urrejmë me të madhe ta themi atë.” Dhe Profeti u tha: “A e keni ndjerë diçka të tillë?! Kjo është qartësia e besimit” Dhe në një trasmetim tjetër ai thuhet të ketë thënë: “Falenderimi i takon Allahut qe e ktheu kurthin e shejtanit në vesvese.”
Kështu pra, e nderuar, fakti që ju e urreni atë vesvese tregon për besimin tuaj, ndaj lërini me një anë dhe mos ua vini veshin,sikur ato të mos ekzistonin fare ose si të jenë gjëra të parëndësishme.

Së treti, mundohu sa të mundesh që në momentet kur zakonisht të vijnë vesvese të tilla të merresh me ndonjë punë që të largosh mendjen nga të tilla vesevese.

Së katërti, shpresa dhe përshtypja e mirë që njeriu duhet të ketë për Zotin duhet të jetë e madhe. Të jesh e bindur se Allahu përderisa të udhëzoi në rrugën e Tij do të thotë se Ai të do dhe nëse Ai të do atëherë mos e humb shpresën tek Ai dhe kështu pak nga pak duke patur parasysh këto që përmenda, mbas një kohe të shkurtër do të shohësh se vesvese të tilla nuk do të shqetësojnë më, ose do të vijnë shumë rrallë…

Allahu e di me se miri.

Justian Topulli