Pyetja:

Unë jetoj në Suedi dhe thuhet se këtu ka shumë xhin. Do t’ua tregoj një ngjarje që i ka ndodhur vëllait tim i cili nuk bën namaz dhe nuk i përmbahet fesë islame shumë edhe pse është besimtar por përton të mëson dhe lexon për fe, mirëpo nuk është i devijuar, mendoj nuk pi alkool, nuk del në festa etj.

Ai një natë kishte dalë me pa një film me një shok dhe e kanë marrë llaptopin dhe e kanë shikuar filmin në veturë. Pasi që ka mbaruar filmi ata kanë dashur të shkojnë në shtëpi. Me veti e kanë pasur qenin e zi të shokut të cilin e kanë lidhur në pukën e veturës gjersa e kanë shikuar filmin. Pasi që ata kanë qëndruar në veturë gjatë gjithë kohës dhe jashtë veturës ka qenë pak ftohtë, është mjegulluar dritarja e përparshme e veturës dhe në dritare janë bërë dy rrumbullakë në lloj të syve prej të cilëve kanë rrjedhur pika uji prej mjegullës, është dukur si të qanin dy sy. Pasi që ka mbaruar filmi, vëllai im e ka pastruar dritaren me “brisaqa” të veturës dhe ka parë diçka të zezë që ka lëvizur shumë shpejt. Ka shikuar në pasqyrë të veturës se çfarë kishte qenë mirëpo s’ka parë asgjë. Pasi që e kanë pasur qenin e shokut jashtë veturës kanë dalë dhe e kanë parë qenin duke u dridhur si të kishte parë diç të trishtueshme, dhe e kanë futur brenda në veturë. Vëllai im e ka dërguar shokun deri te shtëpia e tij dhe ka vazhduar me veturë për në shtëpi të vet. Rrugës duke ardhur, i ka dalë papritmas një plakë (femër) me një qen të vogël duke kaluar rrugën. Në atë kohë shumë rrallë që dalin njerëzit jashtë këtu tek ne, sidomos plakat s’dalin fare në atë kohë. Mirëpo ai e ka ndalë veturën që plaka ta kaloj rrugën dhe ajo është ndalë dhe e ka shikuar veturën e vëllait tim dhe pastaj ka vazhduar. Kur ajo ka kaluar rrugën vëllai im ka vazhduar dhe ka shikuar një herë në pasqyrë për ta parë plakën se ku është, sepse ajo ecte shumë ngadalë, mirëpo nuk e ka parë. Ka shikuar gjithashtu në dritare mirëpo s’ka parë asgjë, plaka është zhdukur d.m.th. vëllai im ka vazhduar rrugën pastaj dhe ka ardhur në shtëpi pa asnjë problem tjetër.
Sot vëllai im u kishte treguar për këtë rast disa policëve suedezë, të cilët rastësisht i kishte parë në qytet, dhe ata kishin thënë që përafërsisht e njëjta gjë ju ka ndodhur edhe atyre disa herë, po në të njëjtën rrugë.
Çfarë mendoni se është kjo? A mund të ma shpjegoni pak? A ka ndonjë kuptim kjo dhe çfarë kuptimi ka?

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, vendi ku nuk këndohet ezani, ku mëkatohet ndaj Allahut natë e ditë, ku nuk respektohet feja e Allahut etj., qoftë edhe i banuar me muslimanë, ndodhin çudira në të. Shtoji kësaj edhe mëkatimin e drejtpërdrejtë të njerëzve, në këtë rast vëllait tënd, për të cilin e lus Allahun që ta udhëzojë në Rrugën e Drejtë!

Së pari, dalja me shok për të shikuar film në llaptop, bën të kuptohet se nuk ka qenë fjala për ndonjë film që mund të shikohet në familje, por sigurisht se në atë rast melaiket e Allahut kanë mundur të turpërohen dhe të largohen prej tyre.

Së dyti, qeni i zi që i ka shoqëruar, i Dërguari ﷺ, ka thënë për të se është shejtan.

Së treti, gjendja fetare e vëllait tuaj, pa namaz, e pa adhurim, pa përkushtim ndaj fesë së Allahut, e që është shumë e rëndësishme në këtë rast.

Pra, të gjitha këto, janë indikatorë të mjaftueshëm që të ndihet shejtani me epërsi ndaj këtyre njerëzve dhe të shfaqet në forma të ndryshme. Nuk është shumë interesant rasti të cilin e keni përshkruar, sa është shqetësues fakti që shejtani ndihet i fuqishëm ndaj vëllait tuaj.

Që të dalë nga kjo gjendje, e cila tani për tani nuk i ka lënë pasoja veçse një sinjali të dobësisë së tij, ai urgjentisht duhet t’i kthehet fesë së Allahut dhe të largohet prej mëkateve, sepse ato i shlyejnë të mirat, ashtu siç e shuan uji zjarrin!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku