Pyetja:

Si e komentoni ju mendimin pozitiv dhe qendrat që po hapen nëpër Kosovë, që proklamojnë se me mendim pozitiv mund të arrish çfarëdo që të duash?

***

Përgjigjja:

Mendimi Pozitiv është një rrymë e re filozofike, që kohëve të fundit ka përhapje në botën perëndimore e edhe në Kosovë, që mëton ta ngrit shpirtëroren dhe ta nivelizojë atë deri diku me materialen. Mendimi Pozitiv, sikur shumë rryma të tjera filozofike apo të gjithat, nuk sjell ndonjë gjë pozitive të re për muslimanët, pasi feja islame i ka përmbushur të gjitha nevojat e të gjitha krijesave, përfshirë këtu edhe njerëzit, duke e ushqyer edhe materialen e edhe shpirtëroren me masa të mjaftueshme aq sa i nevojiten dhe aq sa Krijuesi e ka ditur se i mjaftojnë.

Falënderimi, i cili krijon energji pozitive, dashuria, respekti, falja, mendimi i mirë etj., vlera mbi të cilat ndërtohet Mendimi Pozitiv, Islami jo vetëm që i vlerëson lart, por edhe i obligon që myslimani t’i kultivojë çdo ditë. Në 17 rekate të farzeve të namazeve ditore, apo në afër 40 rekate duke i përfshirë edhe sunetet, pa nafilet e tjera vullnetare, këndohet sureja El-Fatiha, pa të cilën nuk ka namaz, siç ka thënë i Dërguari ﷺ, ku ajeti i parë pas Bismilahit i kësaj sureje shpreh falënderimin madje ndaj Krijuesit, e cila është shkalla më e lartë e falënderimit. “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve”
Pastaj dashuria që përfundon në shkallën më të lartë, që është adhurimi, Allahu urdhëron për të çdo orë e çast, siç janë pesë kohët e namazit gjatë një dite, përkujtimi dhe përmendja e Allahut shpeshherë në ditë etj.

Ndoshta vendet perëndimore kanë nevojë për rryma filozofike si Mendimi Pozitiv, që ta ngrehin shpirtëroren deri në një nivel, pasi janë të materializuar tej mase dhe jeta e tyre nuk e ka kuptimin e duhur pa shpirtëroren. Në atë rast Mendimi Pozitiv do të ishte një alternativë e mirë për t’i penguar perëndimorët nga studimi i Islamit në rrugën e tyre për ta gjetur prehjen shpirtërore. Mirëpo një gjë e tillë nuk vlen për vendet tona, ku muslimanët vetëm duhet që t’i kthehen pak më seriozisht Islamit, pasi me të i mbulojnë të gjitha nevojat e tyre dhe do ta shohin njëmend se me Islam arrijnë çfarëdo kënaqësie që u ka munguar më parë.

Dallimi do të ishte i qartë në këtë rast, se për mendimin pozitiv ka mjete dhe organizata të ndryshme që dinë mirë ta promovojnë dhe t’i joshin me të edhe vet muslimanët, kurse pjesëtarët e Islamit nuk janë aq të njohur me fenë e tyre dhe nuk propagandohet Islami njësoj në media e në qarqe të caktuara, siç propagandohet ndonjë rrymë filozofike alternative.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku