Pyetje: Kam një vëlla i cili  është më i madh se unë, por tallet me mua duke me thënë se jam munafik dhe kur qëndroj vetëm në dhomë, dëgjoj muzikë dhe se mbas njëfarë kohe do të largohem nga kjo fe, do të bëhem me vesvese. E kam këshilluar, por ai nuk i pranon këshillat. Çfarë të bëj me të, më këshilloni Allahu ju shpërblefttë me të mira?

Përgjigje: Detyra jote është që të mos i humbasësh shpresat në përmirësimin e tij, sepse shumë prej njerëzve kanë bërë dikur punë jo të mira e më pas i ka udhëzuar Allahu i madhëruar. Shtoj këshillat dhe bëji dhuratë ndonjë kasetë apo libër që ka këshilla. Ndoshta Allahu i madhëruar e udhëzon nëpërmjet teje.

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) se i ka thënë Alij ibn Ebi Talibit: “Që Allahu të udhëzojë nëpërmjet teje një njeri, është më mirë për ty sesa të kesh një deve të kuqe¹.”(Transmeton Buhariu)

Vazhdo ta këshillosh dhe duro atë që të thotë, siç i ka thënë Lukmani djalit të tij: “O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për cfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!” (Surja Lukman, 17)

/Shejh Uthejmini “Rigjallërimi Islam”/

 

¹Devetë e kuqe në kohën e Profetit (a.s) dhe të shokëve të tij ishin diçka e rëndësishme. Ato ishin të mëdha, të shtrenjta, të fuqishme e të hijshme.
Devetë e kuqe për kohët moderne janë pasuritë e paluejtshme, puset e naftës, pronat, pallatet, vilat, makinat etj…