Pyetja:

A është e lejueshme për muslimanin që të mbështetet në kalkulimet astronomike me qëllim që të vendosë fillimin dhe mbarimin e agjërimit apo patjetër duhet të shihet Hëna e re?

***

Përgjigjja:

Sheriati islamik është një ligjvënie e mëshirshme dhe është e përgjithshme. Vendimet e tij janë të përshtatshme për tërë njerëzit dhe xhinët në pozitat e tyre të ndryshme, qofshin ata dijetarë apo analfabetë, qytetarë apo katundarë, dhe për këtë arsye Allahu e ka lehtësuar për ta mënyrën për të vendosur orarin për format e ndryshme të adhurimit. Ai ka bërë shenja që tregojnë fillimin dhe mbarimin e tyre, dhe tërë njerëzit mund të marrin pjesë në vendosjen e kësaj. Ai bëri, për shembull, perëndimin e diellit si shenjë për fillimin e namazit të akshamit dhe mbarimin e kohës së ikindisë. Ai bëri perëndimin e horizontit të kuq si fillim të namazit të jacisë. Ai bëri pamjen e Hënës së re pasi ajo kishte qenë e fshehur nga fundi i muajit të kaluar dhe Ai nuk na ka ngarkuar me vendosjen e fillimit të muajit hënor me anë të metodave që vetëm pak njerëz i dinë, siç janë njohuritë mbi yjet dhe shkenca e astronomisë. Në këtë mënyrë e ka bërë teksti nga Libri (Kurani) dhe Suneti pamjen e Hënës së re dhe diktimin e saj si shenjë për muslimanët për të filluar agjërimin e muajit të Ramazanit, siç ishte pamja e hënës së re të Sheualit si shenjë për ta ndërprerë agjërimin. Situata është poashtu e njëjtë kur vendoset Kurban Bajrami dhe dita e Arafatit. Allahu ka thënë: “Ai midis jush që jeton muajin e Ramazanit duhet ta agjërojë atë“. (Bekare, 189)

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur ta shihni atë (Hënën e re) atëherë agjëroni dhe kur ta shihni atë (prapë) ndërpriteni agjërimin. Nëse pamja juaj dobësohet (për shkak të reve apo mjegullës) plotësoni periudhën tridhjetë ditshe“.
Kështu ai ﷺ na urdhëroi që agjërimi të fillojë me vërtetimin e pamjes së Hënës së re të Ramazanit dhe mbarimin e muajit të agjërimit me vërtetimin e Hënës së re të Sheualit. Ai ﷺ nuk e lidhi ndonjë nga këto mekalkulimin astronomik e as me lëvizjen e yjeve. Bazuar në këtë, njerëzit vepronin në kohën e Pejgamberit ﷺ dhe në kohën e Halifeve të drejtë, katër imamëve dhe tre gjeneratave të para për të cilat Pejgamberi ﷺ dëshmoi me mirësi dhe dobi. Kështu që kthimi tek shkenca e astronomisë për të vërtetuar muajt hënorë në fillimin dhe mbarimin e formave të adhurimit pa pamjen e vërtetë, është nga bidatet (risitë në fe) që s’kanë kurrfarë të mirë në to dhe e cila s’ka bazë në Sheriat. Dhe Mbretëria e Arabisë Saudite po mbahet fort për atë në çka kanë qenë Pejgamberi ﷺ dhe paraardhësit e devotshëm, duke vërtetuar fillimin dhe mbarimin e muajit të Ramazanit, Bajrameve dhe kohës së haxhit dhe të ngjashmet me këto me pamjen e Hënës. Dhe e tërë e mira është në ndjekjen e paraardhësve në çështjet e fesë dhe tërë e keqja është në bidatet që qenë prezantuar në fe. Allahu na mbrojtë ne dhe të gjithë muslimanët nga të gjitha sprovat, qofshin të hapura apo të fshehta!

Komisioni i Përhershëm për Fetva