Pyetja:

A ka ndonjë shans për arritjen e bekimeve nga një akt i rrënuar nga dëshira për t’u parë, nëse qëllimi/nijeti i personit ndërron për ta kënaqur Allahun pasi mendimi për t’u parë tashmë ka ndodhur?

***

Përgjigjja:

Dëshira për t’u parë mund të ndikojë në adhurim në tri mënyra:
1- Kur motivi themelor për adhurim është për t’u parë nga të tjerët, si ai që falet për t’u parë nga njerëzit, që ata ta lavdërojnë për namazin e tij. Kjo e zhvlerëson aktin e adhurimit.
2- Kur dëshira për t’u parë zhvillohet gjatë aktit të adhurimit. Dmth, nëse adhuruesi fillimisht është i sinqertë ndaj Allahut, pastaj zhvillohet ideja e mburrjes ndërsa bëhet aktit i adhurimit. Në këtë gjendje, zbatohet një nga rastet në vijim:
i. Kur s’ka lidhje mes pjesës së parë të aktit të tij të adhurimit dhe pjesës së fundme. Kështu, pjesa e parë është e vlefshme në të gjitha rastet, kurse pjesa e fundme është e pavlefshme.
Për shembull, një njeri ka njëqind rijal (njësi monetare) të cilat dëshiron t’i japë sadaka. Kështu që ai i jep pesëdhjetë në një akt të sinqertë sadakaje, pastaj zhvillohet ideja e mburrjes lidhur me pesëdhjetë rijalët e mbetur. Pra, e para është sadaka e shëndoshë dhe e pranuar, por pesëdhjetë tjerat janë akt i pavlefshëm sadakaje, sepse është përzier sinqeriteti me dëshirën për t’u parë.
ii. Kur pjesa e parë e aktit të adhurimit është e lidhur për pjesën e fundme, në të cilën gjendje duhet të adresohet një nga rastet në vijim:
a. Ai e zmbraps idenë e mburrjes dhe nuk i dorëzohet asaj, por tërhiqet prej saj dhe e urren atë. Kjo s’ka kurrfarë efekti në të, ngaqë Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e ka falur umetin tim për atë që u shkon ndër mend, për sa kohë që nuk e veprojnë atë apo nuk e flasin atë”.
b. Kur ai i dorëzohet idesë së mburrjes dhe nuk e zmbraps atë. Në këtë rast, i tërë akti i adhurimit zhvlerësohet, sepse pjesa e parë është e lidhur me pjesën e fundme. Për shembull, ai nis faljen me një nijet të sinqertë ndaj Allahut, pastaj ideja e mburrjes zhvillohet në rekatin e dytë, kështu që namazi zhvlerësohet për shkak se pjesa e parë është e lidhur për pjesën e
fundme.

3- Ideja e mburrjes zhvillohet pasi të jetë kryer akti i adhurimit. Kjo nuk ndikon apo nuk e zhvlerëson atë, sepse i tëri është bërë siç duhet. Pra, nëse dëshira për t’u parë shfaqet pas aktit të adhurimit, nuk ndikon në të. Nuk është mburrje, nëse personi ndihet i lumtur që njerëzit marrin vesh për adhurimin e tij, sepse kjo zhvillohet pasi ai ka mbaruar aktin e adhurimit. Nuk është mburrje, nëse personi ndihet i lumtur ngaqë ka bërë një akt adhurimi,
sepse kjo është shenjë e besimit të tij. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kushdo që ndihet i lumtur për veprimin e mirë të tij dhe pikëllohet për veprat e tija të këqija, është besimtar”.
Dhe Pejgamberi ﷺ është pyetur rreth kësaj dhe ka thënë: “Ky është përgëzimi i parë për besimtarin”.

Mexhmu Fetaua el-Shejh ibn Uthejmin 2/29, 30